Shqiptarët trokitën më rrallë në dyert e bankave në tre muajt e parë të vitit për të marrë kredi për blerje banese. Kjo për shkak të shtyrjeve të pajustifikuara të rivlerësimit të pronave me 5 për qind.
Banka e Shqipërisë bën me dije se: “Kërkesa e individëve për kredi u raportua në rënie në tremujorin e parë të vitit 2026, në sajë të kërkesës më të ulët në blerjen e banesave. Nga ana tjetër, kërkesa për kredi në financimin e konsumit u paraqit më e lartë.”
Kjo situatë pritet që të përmbyset. Kjo sa nga hyrja në fuqi e rivlerësimit aq edhe nga lehtësimi i kushteve të kreditimit.
“Në tremujorin e dytë të vitit 2026, bankat presin që kërkesa për kredi të jetë e lartë, si për financimin e konsumit, ashtu edhe për blerjen e banesave. Standardet e kreditimit për individët në tremujorin e dytë të vitit priten të lehtësohen si në kreditë për blerjen e banesave ashtu edhe ato konsumatorë”, vijon Banka e Shqipërisë.
Ndërkohë kërkesa për kredi e bizneseve u raportua në rritje në tremujorin e parë të vitit 2026.
“Rritja e kërkesës për kredi në biznesin e madh u mbështet nga nevojat më të larta për financimin e investimeve dhe inventarëve të kapitalit qarkullues. Po ashtu, në gjykimin e bankave, kreditë nga bankat e tjera dhe treguesi i besimit të biznesit mbështetën zgjerimin e kërkesës për kredi. Nga ana tjetër, situata 6 aktuale ekonomike dhe pritjet për të, si edhe përdorimi i burimeve të brendshme të financimit ndikuan në kahun rënës të kërkesës për kredi të bizneseve në tremujorin e parë të vitit”, bën me dije Banka e Shqipërisë.
Qytetarët dhe sipërmarrësit shqiptarë morën gati 437 miliardë lekë kredi vitin e shkuar. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në raport me 2024-n, huaja e re u zgjerua me 56.9 miliardë lekë apo 15 për qind. (A2 Televizion)