“Superleku", që dëmtoi eksportuesit duke ju shkaktuar me miliona euro humbje, ka “shpërblyer’” thesarin e shtetit, pasi ka zhvlerësuar borxhin e huaj.
Borxhi publik, vlera e parave që Shqipëria u detyrohet atyre që i kanë dhënë hua u ul në 54.7 për qind të Prodhimit të brendshëm Bruto në fund të vitit të shkuar. Ky është niveli më i ulët i shënuar në më shumë se një dekadë.
“Qeveria ka pasur avantazh në këtë drejtim. Rënia e euros, e cila përkthehet në rënie të interesave i kadhënë frymëmarrje qeverisë në drejtim të borxhit të jashtëm”, tha eksperti Klajdi Bregu.
Bazuar në këtë raport, duket se rënia e borxhit ka ardhur kryesisht prej zhvlerësimit të valutave, pasi borxhi i jashtëm që merret në monedhë të huaj është në rënie me 3 për qind krahasuar me vitin 2023, ndërsa borxhi i brendshëm që merret në lekë, është në rritje të lehtë.
“Zhvlerësimi i valutave dhe kryesisht i euros e ka bërë më të lirë borxhin e huaj, për shkak se këstet e shlyerjes së tij kanë qenë më të ulta se në 2023-shin. Konkretisht nëse një këst prej 100.000 euro në 2023 kushtonte 10.3 milionë lekë, më kursin e vitit të shkuar kjo vlerë ra në 9.8 milionë lekë të reja, pasi këmbimi mesatar i euros vjet sipas ministrisë ishte 98 lekë”, shtoi Bregu.
Megjithatë këto vlera të borxhit pritet të ndryshojnë këtë vit, pas marrjes së eurobondit prej 650 milionë euro pak ditë më parë, që mund të sjellë rritje të borxhit të jashtëm. Borxhi publik i Shqipërisë është i përqendruar kryesisht për mbështetje buxhetore, për sektorin e transportit, energjisë elektrike dhe për ujësjellës kanalizime. (A2 Televizion)