Bregu Perëndimor, një territor në qendër të konfliktit Izraelito-Palestinez, është i ndarë në tre zona administrative, A, B dhe C, sipas marrëveshjes së Oslos së firmosur në vitet ‘90.
Ndarjet mbeten në fuqi edhe disa dekada më vonë, duke formësuar qeverisjen ditore, sigurinë dhe përdorimin e tokës në rajon, shkruan A2.
Çfarë është zona A në Bregun Perëndimor?
Zona A mbulon rreth 18 përqind të Bregut Perëndimor dhe përfshin shumicën e qyteteve palestineze, të tilla si Nablus, Bethlehem dhe Jenin. Është nën kontrollin e plotë të Autoritetit Palestinez që menaxhon administratën civile, si arsimin dhe shëndetësinë dhe sigurinë e brendshme. Zona A banohet kryesisht nga palestinezë, pa koloni izraelite. Pavarësisht marrëveshjes, forcat izraelite zhvillojnë vazhdimisht operacione ushtarake në zonën A, duke cituar nevoja të sigurisë që çojnë në tensione me Autoritetin Palestinez.
Çfarë është zona B në Bregun Perëndimor?
Zona B përfshin 22 përqind të Bregut Perëndimor dhe përbëhet nga qyteza e fshatra më të vegjël e zona rurale. Qeveriset nga një sistem i kontrollit të dyfishtë. Autoriteti Palestinez mbikqyr çështjet civile, përfshirë shërbimet publike dhe infrastrukturën. Izraeli mban kontrollin e sigurisë ndërsa Autoriteti Palestinez menaxhon policinë lokale. Ndarja e autoritetit në Zonën B, shpesh krijon sfida administrative për banorët, me mbivendosje të përgjegjësive që çojnë në vonesa dhe mosmarrëveshje.
Çfarë është zona C në Bregun Perëndimor?
Zona C përfshin rreth 60 përqind të Bregut Perëndimor dhe është nën kontrollin e plotë të Izraelit si për administraten civile ashtu edhe për sigurinë. Përfshin gati të gjitha kolonitë izraelite dhe pjesën me të madhe të rezervave natyrore të rajonit. Afërsisht 490 mijë kolonizatorë izraelitë jetojnë ne Zonën C, bashkë me një një popullsi më të vogël palestineze. Palestinezët përballen me kufizime strikte lidhur me ndërtimin dhe zhvillimin, duke u kërkuar leje autoriteteve izraelite. Zona C përfshin shumicën e tokës bujqësore të Bregut Perëndimor dhe resurset ujore, duke e bërë një pikë të nxehtë për konflikte. Izraeli e sheh kontrollin mbi Zonën C si thelbësor për sigurinë, ndërsa grupet palestineze e për të drejtat e njeriut argumentojnë se kufizimet atje, minojnë jetesën dhe zhvillimin ekonomik.
Yossi Mekelberg, Profesor, Chatam House, tha: “Zonat A, B dhe C tani duken pothuajse si histori e lashtë. Ato rrjedhin nga Marrëveshjet e Oslos të vitit1993, të cilat supozohej të ishin një periudhë e ndërmjetme prej pesë vitesh derisa të arrihej një ujdi paqeje që zgjidhte të gjitha çështjet e pazgjidhura midis izraelitëve dhe palestinezëve. Pra, ata ranë dakord ta ndanin Bregun Perëndimor në zonat A, B dhe C. Në të cilën zona A, ku jetojnë shumica e palestinezëve, është nën kontroll të plotë ushtarak të palestinezëve. Zona B, ka një kontroll të përbashkët mes izraelitëve dhe palestinezëve, dhe zona C, e cila është më e madhja, përbën rreth 65 përqind të territitorit dhe është në kontroll të plotë të Izraelit. Dhe ideja ishte që kur të ketë një marrëveshje paqeje dhe të vendosen kufijtë, këto tre zona do të zhdukeshin”.
Përse janë krijuar Zonat, A, B dhe C?
Marrëveshja e Oslos së vitit 1995 e ka ndarë Bregun Perëndimor në zonat, A, B dhe C si pjesë e një ujdie të përkohshme që synonte transferimin gradual të kotrollit tek Autoriteti Palestinez. Ajo ishte e projektuar të zgjaste 5 vite, gjatë së cilave negociatat për statusin përfundimtar pritej të zgjidhnin konfliktin më të gjerë Izraelito-Palestinez. Asnjë marrëveshje finale nuk është arritur, duke lënë ndasitë në fuqi. Kritikët thonë se një aranzhim i tillë ka zgjeruar kontrollin izraelit dhe ka fragmentarizuar qeverisjen palestineze.
“Fakti që ne ende po flasim edhe 31 vite më vonë për zonat A, B dhe C, tregon dështimin e bisedimeve të paqes midis izraelitëve dhe palestinezëve për të arritur një marrëveshje përfundimtare me zgjidhjen e dy shteteve, Izraeli si shtet hebre dhe Palestina si shtet i pavarur dhe një shtet arab i palestinezëve. Ata ende nuk kanë arritur tek ideja, që kjo marrëveshje e përkohshme do të zhduket dhe në vend të saj, ata vendosin për kufijtë. Ku është Palestina? Ku është Izraeli? Plane shkëmbimi midis Izraelit dhe Palestinës për të kompensuar disa nga zonat e vendbanimeve që do t'i aneksohen Izraelit. Dhe arsyeja pse flasim për këtë është sepse nuk e arritëm kurrë këtë pikë. Përpjekje pas përpjekjeje për të arritur një marrëveshje të tillë si një marrëveshje përfundimtare për statusin për t'i dhënë fund të gjitha pretendimeve dështuan dhe procesi i paqes siç e njohim ne, i bazuar në një zgjidhje me dy shtete, u shemb plotësisht”, shpjegon Mekelberg.
2 popullsi
Bregu Perëndimor, përfshirë qytetin e vjetër të Jerzulemit, ishte pjesë e Mandatit Britanik të Palestinës deri në vitin 1948 kur ishte e pushtuar nga Transjordania gjatë luftës mes shtetit të saposhpallur të Izraelit dhe vendeve arabe. Izraeli pushtoi territorin gjatë luftës tjetër arabe, në 1967. Ai aneksoi Jeruzalemin dhe një rrip të Bregut Perëndimor rreth tij, një hap që nuk ka siguruar kurrë njohjen ndërkombëtare. Në vitin 1994 Autoriteti Palestinez u themelua nën marrëveshjen e përkohshme të paqes, duke i garantuar palestinezëve vetëqeverisje të kufizuar ndërsa Izraeli vazhdoi të pushtonte Bregun Perëndimor. Pa përfshirë zona si Jeruzalemi Lindor, Bregu Perëndimor është shtëpi e rreth 3 milionë palestinezëve. Rreth 1 e treta e tyre janë refugjatë, pasi ata ose paraardhësit e tyre u detyruan të shpërngulen nga banesat në luftën e vitit 1948. Numri i kolonëve hebrenj është rritur në rreth 529.450 sipas raportit të Statistikave të Popullsisë Hebraike të Bregut Perëndimor, të cilët jetojnë në afërsisht 141 vendbanime të miratuara nga qeveria dhe 224 zona që nuk kanë miratim zyrtar, sipas grupit mbikëqyrës Peace Now.
Vizione konfliktuale
Bregu Perëndimor është në qendër të aspiratave palestineze për një shtet që do të përfshinte Rripin e Gazës dhe do të kishte Jerusalemin Lindor si kryeqytet. Por, procesi i paqes ka kohë që është në pikë të vdekur. Për Izraelin, Bregu Perëndimor ka rëndësi strategjike dhe fetare. Ai njihet në Izrael si Judea dhe Samaria dhe është shtëpi e shumë vendeve biblike - një faktor që ka tërhequr kolonët. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu në vitin 2019 njoftoi planet për të aneksuar pjesë të Bregut Perëndimor. Por, Izraeli pezulloi hapa të tillë sipas një marrëveshjeje të vitit 2020 që normalizonte lidhjet me Emiratet e Bashkuara Arabe. Palestinezët thonë se vendbanimet hebraike minojnë zgjidhjen me dy shtete.
Dhuna
Bregu Perëndimor ishte arenë e kryengritjes së parë palestineze, ose Intifadës, e cila shpërtheu në vitin 1987 dhe u shenjua nga konfrontimet midis palestinezëve që hidhnin gurë dhe ushtarëve izraelitë. Ishte gjithashtu një fushë beteje në një Intifadë të dytë, e cila filloi në vitin 2000 dhe u shndërrua në konflikt të armatosur. Izraeli filloi të ndërtonte mure të larta betoni duke izoluar pjesë të Bregut Perëndimor në vitin 2002, me synimin për të ndalur sulmet vetëvrasëse. Për palestinezët, barriera - pjesa më e madhe e së cilës është në Bregun Perëndimor- përbën një grabitje toke. Dhuna mes kolonëve hebrenj dhe palestinezëve është shfaqur dukshëm në fazën e fundit të konfliktit ku sulmet e kolonizatorëve ndaj palestinezëve kanë qenë në rritje.
Profesor Yossi Mekelberg shprehet: “Ka shumë çështje. Për shembull, pushtimi po bëhet gjithnjë e më i thellë dhe ka dhunë në rritje, terrorizëm nga kolonët, nga kolonët hebrenj. Nuk ka respekt për zonën A që është në kontroll të plotë të palestinezëve dhe legjitimiteti palestinez është në rënie. Por, e dini, vetë Autoriteti Palestinez bëhet gjithnjë e më autoritar dhe nuk duket se për vetë palestinezët përfaqësojnë interesat, shpresat dhe aspiratat e tyre. Dhe shumica e palestinezëve nuk shohin një rrugëdalje përtej pushtimit që e shohin gjithmonë e më të ashpër. Keni mijëra njerëz në burg, shumë prej tyre në arrest administrativ, që do të thotë se nuk janë akuzuar për asgjë. Ekonomia po shkon keq. Pra, kjo është ajo që qytetarët duan të shohin të ndryshojë, mënyrën e jetesës së tyre. Të mos jetojnë më nën pushtim, të jetojnë në një shtet të pavarur dhe në të njëjtën kohë të gëzojnë të njëjtat të drejta që meriton kushdo në botë”.
Këndvështrimi Ndërkombëtar
Shumica e vendeve e konsiderojnë Bregun Perëndimor, përfshirë Jerusalemin Lindor, si territor të pushtuar. Një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të vitit 2016 riafirmoi se krijimi i vendbanimeve izraelite në territorin palestinez të pushtuar që nga viti 1967 përbën "një shkelje flagrante sipas ligjit ndërkombëtar dhe një pengesë të madhe për arritjen e zgjidhjes me dy shtete". Në Bregun Perëndimor të pushtuar, pikat e kontrollit prej betoni, muret ndarëse dhe ushtarët janë kujtesë e dështimit për të ndërtuar paqe mes izraelitëve dhe palestinezëve që nga nënshkrimi i Marrëveshjeve historike të Oslos më shumë se 30 vjet më parë.
Marrëveshja, e menduar si një masë e përkohshme për të ndërtuar besim dhe për të krijuar hapësirë për një ujdi të përhershme paqeje, mbetet e ngrirë prej kohësh në një sistem për menaxhimin e konfliktit pa një fund të dukshëm në horizont. Me Bregun Perëndimor në trazira, të paktë janë ata që besojnë se ekziston ndonjë perspektivë realiste për zgjidhjen me dy shtete, me një Palestinë të pavarur që ekziston krah për krah me Izraelin. Nënshkrimi i marrëveshjeve solli një periudhë të shkurtër optimizmi, të simbolizuar nga imazhi i udhëheqësit palestinez Yasser Arafat dhe kryeministrit izraelit Yitzhak Rabin, në mbikqyrjen e Presidentit të SHBA-së Bill Clinton, duke shtrënguar duart në lëndinën e Shtëpisë së Bardhë. Rabin u vra nga një izraelit i krahut të djathtë në vitin 1995, ndërsa Arafati vdiq në vitin 2004.
Për Yossi Beilin, një ish-ministër drejtësie dhe negociator izraelit, dështimi i marrëveshjeve për të sjellë paqe erdhi sepse qeveritë e njëpasnjëshme izraelite preferuan ta shndërronin atë që fillimisht ishte një armëpushim i përkohshëm në një status quo të përhershëm. Por, ndërsa disa pjesëtarë të qeverisë izraelite kanë folur hapur për aneksimin e plotë të Bregut Perëndimor, vështirësitë praktike kanë penguar një veprim të tillë. Tashmë, palestinezët dhe një numër organizatash ndërkombëtare për të drejtat e njeriut e akuzojnë Izraelin për operimin e një sistemi aparteidi në Bregun Perëndimor. Dhuna në Bregun Perëndimor është rritur që nga fillimi i luftës në Gaza. Qindra palestinezë janë vrarë, shumë prej tyre të armatosur, por mes tyre përfshihen edhe të rinj që hidhnin gurë ose civilë të papërfshirë, ndërsa mijëra janë arrestuar nga forcat izraelite.
“Do të ishte gabim të injorohej dhe neglizhohej ajo që po ndodh në Bregun Perëndimor. Shumica e palestinezëve nën pushtim jetojnë në Bregun Perëndimor, më shumë sesa në Gaza. Dhe ajo që ndodh tani në Bregun Perëndimor mund të çojë në rritje të armiqësive e të dhunës. Dhe situata është aq e brishtë sa mund të shpërthejë në çdo moment. Dhe mendoj se kur Presidenti Trump i hyn vërtet bisedimeve për mundësinë e dëbimit të palestinezëve, tregon në fund të ditës se, ky ishte plani i madh. Jo zgjidhje me dy shtete, jo njohja e të drejtave të palestinezëve. Plani i madh është më shumë vendbanime izraelite, aneksimi i Bregut Perëndimor dhe përfundimisht dëbimi potencial i palestinezëve. Mendoj se jemi në një pozicion, në një pikë të historisë që është shumë e rrezikshme. Dhe nëse ideja konkretizohet do të shohim dhunë e gjakderdhje për një kohë të gjatë”, thekson Mekelberg. (A2 Televizion)