“Këtu e kam punën. Biznes. Marr lekë. Marr 60 mijë – 70 mijë euro në muaj. A e kupton? Normal që bëj ‘au-iu’ unë. Se nuk janë duke punuar arat.”
Ky është vetëm një nga personazhet e shumtë që botëra online i ka kthyer në një biznes fitimprurës. Por tatimet i kanë vënë në shënjestër që nga videot në TikTok e deri te klikimet në YouTube, bashkë me pagesat në PayPal apo postimet në Facebook dhe Instagram. Plot 100 “influencerë” dhe media online janë nën hetim. Shteti dyshon se ata nuk kanë paguar detyrimet për rreth 33 milionë euro të përfituara gjatë vitit të kaluar nga rrjetet sociale apo platformat e tjera online.
“Pas datës 31 mars, që është afati i fundit për deklarimin e DIVA 2024, kur kemi një ligj që përcakton qartë se kush ka detyrim për të deklaruar dhe kush jo… këta persona dhe subjekte përfshihen te kategoria që duhej të kishin deklaruar tatimin mbi të ardhurat personale, por nuk e kanë bërë”, shpjegon Etleva Treska, eksperte kontabël, shkruan A2 CNN.
Aty ku ka klikime, ka ndjekës… dhe aty ku ka audiencë, ka para. Mesatarisht, çdo individ apo subjekt ka gjeneruar 330 mijë euro të ardhura gjatë vitit të kaluar.
“Platforma si YouTube, TikTok, Facebook dhe Instagram paguajnë krijuesit përmes reklamave që shfaqen në videot ose postimet e tyre. Sa më shumë shikime dhe ndërveprime, aq më shumë fitime,” thotë ekspertja.
Por çfarë ndodh kur këto para nuk deklarohen? Kur fitimet nga videot virale, reklamat, sponsorizimet dhe dhuratat online kalojnë pa i dhënë shtetit atë që i takon?
“Kur individët apo subjektet futen në hetim tatimor për të ardhurat e padeklaruara nga platformat sociale, nis një proces i detajuar verifikimi financiar. Hetimi mund të përfshijë inspektime në terren dhe kontroll të librave financiare. Në rastet e evazionit fiskal të qëllimshëm, autoritetet mund të nisin procedura penale, duke sjellë pasoja serioze ligjore, përfshirë gjoba dhe sekuestrim pasurie,” shton ekspertja.
Në një epokë digjitale, ku kufijtë mes argëtimit dhe biznesit shpesh zhduken, të gjithë krijuesit e përmbajtjes duhet të kuptojnë një gjë të thjeshtë: Shteti është pjesë e lojës, dhe paratë që fitohen, duhet të deklarohen. (A2 Televizion)