Aeroporti i Rinasit po bëhet gati për të mundësuar linjën Shqipëri-SHBA dhe anasjelltas pa transit. Afati i parashikuar për këtë është pranvera e vitit të ardhshëm, tha në një intervistë për A2 CNN kreu i Aviacionit Civil, Maksim Et’hemaj.
“Pista po zgjatet, po forcohet. Presim që marrëveshja me operatorin amerikan të nënshkruhet në shtator-tetor dhe nëse gjërat shkojnë siç ne parashikojmë, për shkak të situatës gjeopolitike që po ndodh, presim që në pranverën e vitit 2026 të nisin fluturimet direkte për dhe nga Aeroporti i Rinasit drejt Shteteve të Bashkuara”, tha Et’hemaj.
Ai shtoi se Aeroporti i Vlorës është i ndërtuar që në fillim për të akomoduar këtë linjë, por do të duhet pak më shumë kohë për ta realizuar. “Sepse do të duhet të certifikohet, proces për të cilin me Aeroportin e Rinasit e kemi përfunduar, për të marrë lejet, miratimet, për të vazhduar. Pra i pari do të jetë Aeroporti i Rinasit, në pranverë të vitit 2026, i ndjekur nga Aeroporti i Vlorës, një ose dy vite më vonë”.
(A2 Televizion)