Të dhënat deri në shtator, investimet e huaja arritën 1.2 mld euro, 30% në pasuri të paluajtshme

Nga Marjo Brakaj
15 Dhjetor 2025, 15:15 | Ekonomi

Me gjithë krizën për të gjetur punonjës, kostot e shtuara nga rritja e pagave dhe forcimi i lekut, sipërmarrësit e huaj po vijojnë të investojnë në Shqipëri. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se vlera e investimeve nga jashtë deri në shtator kapi shifrën e mbi 1.2 miliardë eurove, 4.4 për qind më tepër se në po të njëjtën periudhë kohore të një viti më parë. Ky është niveli më i lartë i shënuar ndonjëherë

“Është shifër e madhe për Shqipërinë, marrë parasysh se kjo e fundit është e vogël. Është një trend pozitiv. Kemi ecur mirë, por sërish është i vogël”, thotë për A2 CNN Mark Crawford, investitor amerikan.

Rritja e vlerës së pronave në vend ka tërhequr edhe vëmendjen e të huajve duke renditur në krye të investimeve të huaja pikërisht blerjet e pasurive të patundshme. Për blerje të apartamenteve rezulton të jenë shpenzuar plotë 392 milionë euro, shifër kjo sa rreth 30 për qind e totalit të investimeve të huaja deri në shtator.

“Ka shumë turistë të huaj që veçanërisht po investojnë te pasuritë e paluajtshme dhe jo vetëm Janë sektor ku përgjithësish nuk kërkohet ndonjë fuqi punëtore e madhe. Gjithçka gjendet gati dhe investimi kryhet pa pengesa”, thotë Crawford.

Megjithatë, rritja e investimeve të huaja tashmë po dominohet dukshëm nga fitimet e rri-investuara të ndërmarrjeve, ndërsa prurjet e reja të kapitalit janë pothuajse në vendnumëro. Sipas Bankës së Shqipërisë, fitimet e riinvestuara në 9 muaj arritën në 632 milionë euro, ose sa 54 për qind e fluksit total të investimeve në 9-mujorin janar-shtator. “Ky duhet lexuar si lajm pozitiv pasi tregon se kapitali nuk po shkon jashtë, por po ri-investohet në Shqipëri”, thotë Crawford.

Të dhënat nga Banka Qendrore tregojnë se në tremujorin e tretë të vitit që përkon me harkun e muajve korrik-shtator, niveli i investimeve të huaja nga jashtë kapi shifrën e 406 milionë eurove. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos