Ringritja po rezulton e vrullshme dhe e shpejtë. Nga 16 mijë e 547 dollarë në janar, vlera e Bitcoin, monedha virtuale më e përhapur në botë, ka arritur në 41 mijë e 200 dollarë këtë mes-dhjetor. Në krahasim me fillim-vitin kriptovaluta është forcuar me 24 mijë e 653 dollarë apo 149 për qind.
“Një ndër faktorët lidhet me institucionin financiar në këtë treg, BlackRock. Ky treg ndikohet shumë nga efekti psikologjik. Kur një kompani e madhe bën blerje, kjo rrit besueshmërinë te investitori e rrjedhimisht te kriptovaluta”, tha Denisa Kele, njohëse e tregut të monedhave digjitale.
Kur u krijua në 2009-n, Bitcoin vlente vetëm 1 cent. Në mbi një dekadë, kriptomonedha ka pasur disa kulme, veçanërisht në vitet 2019 e 2021 kur vlente 11 mijë e 800 e pastaj gati 67 mijë dollarë. Kriza e çmimeve dhe rritja e normave të interesit zhvlerëson ndjeshëm Bitcoin veçanërisht fund-vitin e shkuar, për t’iu rikthyer rritjes muajt e fundit.
“Kanë ndikuar edhe deklaratat e Biden se nuk do të ketë më shtrëngim të normave të interesit. Kjo bën që njerëzit të ndihen më të relaksuar dhe të blejnë. Të dhënat tregojnë se rreth 70 për qind e atyre që kanë portofole nuk po shesin kriptomonedha megjithëse këto të fundit po forcohen”, theksoi Kele.
Të dhënat nga Coin Market Cap tregon se gjallërimi ka përfshirë edhe monedhat e tjera digjitale. Vlera e Ethereum ka kapur nivelin e 2 mijë e 200 dollarëve, Makër 1 mijë e 300 dhe BNB rreth 250 dollarë.
“Ka një cikël. Në tre vite kryesisht kriptomonedhat ruajnë një qëndrueshmëri. Tregjet paralajmërojnë se në vitin 2024 kriptovalutat do të vijojnë rritjen me “Bitcoin” e cila pritet të kapë nivelin e 200 mijë dollarëve”, u shpreh Denisa Kele.
Në Shqipëri përllogaritet të jenë deri në 50 mijë portofole investime në kriptomonedha, kryesisht në Bitcoin vlera e të cilave shkon në rreth 90 milionë dollarë. (A2 Televizion)