Drejtoria e Tatimeve ka zhvilluar kontroll në një mijë e 197 biznese në të gjithë vendin me qëllim luftimin e informalitetit në paga. Gati 78 përqind e bizneseve të inspektuar në dhjetor reaguan ndaj kontrolleve duke marrë masat e nevojshme.
“Nuk është vetëm çështja që qeveria do të vendosi vetëm gjoba por dëshiron që të gjitha sektorët të jenë palë me këtë fushatë, të kenë mundësi të përgjigjen pozitivsht ë ndryshojnë deklarimet, që të jenë reale dhe jo evazive”, tha Romina Radonshiq, eksperte ekonomie, shkruan A2.
Bizneset që në dhjetor shkelën legjislacionin tatimor u gjobitën me masa administrative deri në vlerën 6.1 milion lekë. Janë rreth 37 mijë e 331 tatimpagues me risk në fushën e informalitetit të pagave, ata të cilët pavarësisht njoftimit të parë nuk reaguan.
“Do ndikojë pozitivisht tek biznesi. Ne dimë që ky sektor vuan për punonjës. Në momentin që kemi informalitet, një element negative por nga ana tjetër në aspektin makro për qeverinë shihet pozitivisht pasi ka më shumë të ardhura”, u shpreh ekspertja.
Perceptimi i informalitet në masë vërehet më së shumti në sektorët si bujqësia, tregtia e shërbimet ku gjendet e punësuar pjesa më e madhe e popullsisë dhe më pak në sektorët si energjia e ndërtimi.
“Realiteti ekziston në ato sektor që nuk kanë zhvillim të madh si bujqësia e cila po vuan. Ndërsa sektorët që janë më të zhvilluar, turizmi, ndërtimi etj. Edhe pse janë të zhvilluar nuk kanë deklaruar sic duhet.”
Thirrja nga Tatimet iu dërgua nga 130 mijë subjekteve nga data 1 tetor, ndërsa deri më tani në total rreth 9 mijë iu përgjigjën thirrjes, duke rritur fondin e deklaruar të pagave me një total prej 1.25 miliard lekësh, transmeton A2.
Tatimet deklarojnë se strukturat e hetimit dhe kontrollit të specializuar do të vazhdojnë hetimet ndaj individëve që nuk deklarojnë pagat reale. (A2 Televizion)