Të premten nis java e gjashtë e Kategorisë Superiore, ku vëmendja kryesore do të jetë në derbin e Kryeqytetit, Partizani-Tirana. Për të dyja skuadrat, kjo ndeshje është një finale nëse duan të kthehen të rezultatet pozitive dhe të arrijnë objektivat e vendosura.
Bardheblutë aktualisht janë në vendin e fundit në tabelë me vetëm 2 pikë pas 5 javësh ndërsa Partizani vjen tre humbjesh radhazi dhe një fitore përballë bardheblutë është detyrim për demat.
“Besoj erdhi ora, duke pasur parasysh edhe moralin që lojtarët kanë shfaqur, duke parë edhe ndeshjen e fundit që kemi bërë, e meritonim të fitonim, gjithashtu edhe për klasifikimin që është shumë i rëndësishëm, por fitorja në derbi ka tjetër rëndësi dhe tjetër moral për skuadrën. Kishim shumë raste në fakt dhe duhet të jemi më konkretë në portë, ishin 3-4 raste decizive dhe sigurisht duhet të përmirësohemi edhe në fazën mbrojtëse sidomos në markime për të mos marrë ato lloj golash”, tha Roberto Bordin.
Ndeshjet e tjera janë të ndara në dy ditët e fundjavës. Të shtunën, Vllaznia pret Elbasanin në Loro Borici ndërsa Dinamo luan me Flamurtarin. Java e gjashtë mbyllet të dielën, Vora luan me Egnatian ndërsa Teuta përballet me Bylisin në stadiumin ''Niko Dovana'' (A2 Televizion)