Kapiteneria e portit detar të Vlorës ka vendosur të pezullojë lundrimin detar duke nisur nga ora 14:00 e kësaj të premteje. Lundrimi do të jetë i pezulluar për mjetet e vogla lundruese si dhe mjetet e peshkimit që duan të lundrojnë jashtë gjirit të Vlorës.
Prej orës 14:00 të kësaj të premteje priten përkeqësim i kushteve atmosferike. Pezullimi i lundrimit detar vjen si rrjedhojë e erës së fortë bregdetare me drejtim Veri-Veriperëndim, me shpejtësi 15-20 metra në sekondë, e cila në det të hapur shkakton dallgë nga 1.5 metra deri në 2.5 metra të larta, duke e bërë të pamundur lundrimin e mjeteve lundruese dhe atyre të peshkimit.
Mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit do të lejohen të lundrojnë brenda gjirit të Vlorës, por kapiteneria e portit detar njofton se edhe për lundrimet në brendësi të gjirit, të gjithë administratorët e mjeteve lundruese duhet të bëjnë kujdes.
Anijet e transportit detar, tragetet e linjës me Brindisin vijojnë udhëtimet në normalitet të plotë drejt destinacioneve.
Administratorët e mjeteve lundruese dhe atyre të peshkimit kanë nisur të sigurojnë në bregdet edhe mjetet lundruese, varkat, për të shmangur përplasjen e tyre me bregdetin, çka sjell dëme të shumta materiale.
Situata hidrometeorologjike në Vlorë pritet të përmirësohet duke filluar nga ora 06:00 e mëngjesit të së shtunës, kohë kur mjetet lundruese do të dalin në det të hapur sërish për lundrim.
(A2 Televizion)