Vetëm një ide nuk mjafton, sado e bukur të jetë ajo. Është paraja ajo që gati ndan suksesin nga dështimi.
“Është ajo që realisht të ndihmon, krahas edhe formimit të kesh një sukses dhe ta implementosh idenë. Pa këtë është tepër e vështirë”, tha Sonila Abdalli, themeluese, lehtësuese në ngritjen e Start-up.
Teksa kujton hapat e para të rrugës në sipërmarrjen Start-up, lidhjen e ngushtë e gati përcaktuese në binomin mendje e bukur-financim e pranon edhe Ilir Tesho.
“Kemi qenë disa shokë, që patëm një ide. E zhvilluam dhe më pas me njohjet që kishim arritëm të siguronim një financim nga një biznesmen shqiptar”, theksoi Ilir Tesho, themelues i një Start up.
Për çdo të ri, student, shtetas shqiptar apo i huaj që ka një ide biznesi, qeveria ka vënë në dispozicion 3 milionë euro këtë vit.
“Strategjia prek tre shtylla kryesore: sipërmarrjen inovative, zhvillimin e sektorëve dhe gjithpërfshirjen. Qeveria shqiptare po punon edhe për një strategji të sipërmarrjeve të specializuara, megjithatë faza e identifikimit të sektorëve që kanë nevojë për inovacion tashmë ka mbaruar dhe janë pikërisht këto sektorë që synohen të mbështeten”, deklaroi Delina Ibrahimaj, ministre e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit.
Thirrja e hapur tashmë do të mbështesë 50 deri në 80 propozime për biznese në faza të ndryshme zhvillimi.
“Ne do të konsultohemi çdo ditë fizikisht dhe virtualisht, ndaj kemi përgatitur një program shumë ambicioz për të dalë edhe jashtë Tiranës, në universitete, për të komunikuar dhe shpjeguar sa më shumë, në mënyrë që aplikimet tuaja të jenë sa më cilësore. Duam që ky fond të shpenzohet në mënyrën më të mirë të mundshme dhe procesi të jetë sa më transparent”, u shpreh Arjan Ymeri, Drejtori i Agjencisë Startup Albania.
Megjithëse janë bërë hapa para në drejtim të mbështetjes së ideve që mund të kthehen në biznes, në Shqipëri vetëm 1 në 10 ndërmarrje “Start-Up” arrin të mbijetojë dhe të jetë i qëndrueshme në treg. (A2 Televizion)