Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu denoncoi ashpër vendet perëndimore për përqafimin e shtetësisë palestineze, duke i akuzuar ato se po dërgojnë mesazhin se "vrasja e hebrenjve ia vlen".
Duke folur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, udhëheqësi izraelit kundërshtoi me termat më të ashpra deri më tani një mori lëvizjesh diplomatike nga aleatët kryesorë të SHBA-së që thelluan izolimin ndërkombëtar të Izraelit për shkak të kryerjes së një lufte gati dyvjeçare kundër militantëve të Hamasit në Gaza.
"Këtë javë, udhëheqësit e Francës, Britanisë, Australisë, Kanadasë dhe vendeve të tjera njohën pa kushte një shtet palestinez", tha ai. "Ata e bënë këtë pas tmerreve të kryera nga Hamasi më 7 tetor - tmerre të lavdëruara atë ditë nga gati 90% e popullsisë palestineze". Duke e quajtur atë një "shenjë turpi", Netanyahu tha: "E dini se çfarë mesazhi u dërguan palestinezëve udhëheqësit që njohin shtetin palestinez këtë javë? Është një mesazh shumë i qartë: vrasja e hebrenjve ia vlen".
Netanyahu theksoi se inteligjenca dhe ushtria izraelite kanë eliminuar me radhë disa nga kërcënimet më të rrezikshme ndaj shtetit hebre.
"Vitin e kaluar, qëndrova në këtë podium dhe tregova këtë hartë. Dhe ajo tregon mallkimin e boshtit të terrorit të Iranit. Ky bosht kërcënonte paqen e të gjithë botës. Ai kërcënonte stabilitetin e rajonit tonë dhe vetë ekzistencën e vendit tim, Izraelit. Irani po zhvillonte me shpejtësi një program masiv të armëve bërthamore dhe një program masiv të raketave balistike. Këto kishin për qëllim jo vetëm të shkatërronin Izraelin, por kishin për qëllim edhe të kërcënonin Shtetet e Bashkuara dhe të shantazhonin kombet kudo. Ne shkatërruam armatimet e Asadit në Siri. Ne i penguam milicitë shiite të Iranit në Irak. Dhe mbi çdo gjë tjetër që mund t'ju them se bëmë gjatë këtij viti dhe kësaj dekade, ne shkatërruam programet e armëve atomike dhe raketave balistike të Iranit”, tha kryeministri izraelit.
Më tej, Netanyahu shtoi se e ardhmja e Hamasit dihet, dhe sa më shpejt që të dorëzojnë armët aq më mirë për ata.
"Por nuk kemi mbaruar ende. Elementet e fundit, mbetjet e fundit të Hamasit, janë fshehur në Qytetin e Gazës. Ata betohen të përsërisin mizoritë e 7 tetorit përsëri e përsëri, pavarësisht se sa i kanë zvogëluar forcat e tyre. Kjo është arsyeja pse Izraeli duhet ta përfundojë punën. Kjo është arsyeja pse ne duam ta bëjmë këtë sa më shpejt të jetë e mundur", shtoi ai.
Dhjetëra delegatë dolën nga salla ndërsa Netanyahu doli në skenë, ndërsa disa pjesëmarrës në ballkon e duartrokitën në këmbë. Në të njëjtën kohë, mijëra protestues pro-palestinezë bllokuan trafikun pranë Times Square në Neë York. "Me kalimin e kohës, shumë udhëheqës botërorë u dorëzuan.
Ata u dorëzuan nën presionin e mediave të njëanshme, elektoratit islamist radikal dhe turmave antisemite. Ekziston një shprehje e njohur, kur gjërat vështirësohen, të fortët fillojnë. Epo, për shumë vende këtu, kur gjërat vështirësohen, ju dorëzoheni", tha Netanyahu.
Në të njëjtën kohë, Tel-Avivi ishte kujdesur që fjalimi i Netanyahut të ndiqej nga të gjithë banorët e Palestinës duke interferuar nëpër telefonat celularë. Po ashtu Izraeli vendosi altoparlantë nëpër zona të ndryshme të Gazës në mënyrë që fjalimi i Netanyahut të mund të dëgjohej nga popullsia e Gazës. (A2 Televizion)