Sllovakia ka ndryshuar kushtetutën e saj, duke sanksionuar në ligj njohjen vetëm të dy gjinive.
Ndryshimi ligjor, i cili u miratua në parlament, gjithashtu kufizon adoptimin vetëm për çiftet heteroseksuale të martuara dhe ndalon shtatzënitë zëvendësuese.
Kritikët, përfshirë Amnesty International, kanë paralajmëruar se ndryshimi do ta bëjë jetën më të vështirë për personat LGBT, duke thënë se e afron sistemin ligjor të vendit më shumë me qeverinë joliberale të Hungarisë ose me Rusinë e Putinit.
Mbështetja e Parlamentit për amendamentin erdhi si një surprizë për vëzhguesit, pasi edhe kryeministri pranoi që të enjten se ai mund të mos miratohet.
Qeveria e Ficos, një koalicion partish populiste, të majta dhe nacionaliste, kishte nevojë për të paktën 90 vota në Këshillin Kombëtar Sllovak me 150 vende për të ndryshuar kushtetutën, megjithatë, në fund 12 deputetë të opozitës votuan me qeverinë.
Kryeministri Robert Fico vlerësoi votimin dhe tha se partia e tij do të pinte një gotë për të festuar suksesin. Ai më parë kishte argumentuar se ajo që ai e quante ideologji liberale po “përhapej si kanceri”.
(A2 Televizion)