Procesi i rivlerësimit është zhbllokuar. Në Fletoren Zyrtare është publikuar udhëzimi i përbashkët i Ministrisë së Financave dhe Drejtorisë së Agjencisë Shtetërore të Kadastrës që rregullon procesin e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme me 5 për qind.
“Në rast se individi zgjedh që rivlerësimin e pasurisë ta bëjë ASHK-ja, ai bëhet me çmimet minimale fiskale, që janë në fuqi në momentin e kryerjes së procesit të rivlerësimit dhe në përputhje me përcaktimet e udhëzimit të përbashkët nr. 34, datë 29.12.2023, “Për tatimin e kalimit të së drejtës së pronësisë së pasurisë së paluajtshme”. Në këtë rast, baza e tatueshme, llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës së dalë nga rivlerësimi (sipas çmimeve minimale fiskale në fuqi) dhe vlerës së zbritshme të përcaktuar në pikën 3 të këtij kreu”, thotë Ministria e Financave.
Gjithashtu, rivlerësimi mund të kryhet edhe për ato pasuri që e kanë kaluar një herë këtë proces. Në rastet kur individi ka më shumë se një pasuri në pronësi rivlerësimi do të bëhet për secilën në mënyrë individuale. Në udhëzim është specifikuar se i gjithë procesi do të realizohet online në e-Albania, me dy procedura, me ekspert të licencuar ose pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, shkruan A2.
“Në rast se individi zgjedh rivlerësimin e pasurisë nga një ekspert i licencuar, baza e tatueshme, llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës së pasqyruar në aktin e vlerësimit të pasurisë dhe vlerës së zbritshme. Në çdo rast, vlera e pasqyruar në aktin e vlerësimit të pasurisë nga eksperti i licencuar nuk mund të jetë më e vogël se çmimi minimal fiskal”, vijon udhëzimi.
Ndryshe nga sa pritej, rivlerësimi edhe këtë herë do të bëhet me referencat e vjetra që janë aktualisht në fuqi. Në fakt siç ishte deklaruar nga qeveria më herët pritej që rivlerësimi të bëhej me referencat e reja të pronave në të gjithë vendin, më përjashtim të Tiranës që reflektonin vlerat aktuale që kanë pronat në 60 bashkitë e vendit.
“Në rastin e ndërtesave, çmimeve të referencës do t’i zbritet 1% e vlerës për çdo vit të plotë shtesë përdorimi, duke filluar nga data e fitimit të titullit të pronësisë për herë të parë. Zbritja prej 1% do të aplikohet për të gjitha llojet e pasurive të paluajtshme ndërtesa. Kjo zbritje nuk duhet të jetë më e madhe se 30% e çmimit të referencës të përcaktuar në VKM-në 2 në zbatim të neneve 21, pika 2, 22, pika 5, 22/1, 22/3 dhe 22/4 të ligjit nr. 9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar”, theksohet në udhëzim.
Ndërsa tek bizneset, do të përfitojnë nga procesi i rivlerësimit vetëm ata që i kanë të pasqyruara pasuritë tyre në pasqyrat financiare të 2025-ës: “Rivlerësimi me vlerën e tregut bëhet nga vlerësues të pasurisë, ekspertë të pavarur të licencuar nga institucionet përkatëse për vlerësimin e pasurisë së paluajtshme”.
Për bizneset, llogaritja dhe arkëtimi i tatimit 5% për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme të personave juridikë bëhet nga drejtoritë rajonale tatimore përkatëse. (A2 Televizion)