Ekzekutimi i Edmond (Ali) Sulës në Bërxullë dyshohet se është kryer nga një person i vetëm.
Sipas hetimeve, autori ka qëndruar i fshehur, i shtrirë pas një peme dhe mes barishteve në arën që ndodhet përballë banesës së viktimës, shkruan A2.
Në një largësi rreth 50 metra nga ndërtesa, autori mësohet se ka qëndruar i fshehur për afro një orë, i maskuar dhe duke përfituar edhe nga errësira, pasi rruga pranë vendit të ngjarjes nuk ishte e ndriçuar.
Pak para atentatit, Sula po ndiqte në lokal ndeshjen e kampionatit botëror Norvegji-Angli. Pasi ka përfunduar pjesa e parë është drejtuar për në banesë.
Autori ka pritur momentin kur Edmond Sula ka lënë ambientet e lokalit pranë lagjes ku banonte dhe e ka qëlluar me armë të dyshuar snajper. Madje, grupi hetimor beson se autori përdori edhe silenciator. Plumbi e ka goditur në shpinë, duke i marrë jetën pranë derës së shtëpisë.
Pas krimit, autori dyshohet se është larguar në këmbë përmes arave për t'i shpëtuar kamerave të sigurisë dhe më pas ka vijuar arratisjen me një automjet, të cilin dyshohet se e kishte fshehur më herët në zonë.
Megjithatë, policia ka sekuestruar dhe hapur pamjet nga kamera që ishte në banesën e viktimës, e cila kishte fushëpamje edhe në vendin ku ishte vendosur autori.
Pista kryesore e hetimit për ekzekutimin e 50-vjeçarit mbetet ajo e mosmarrëveshjeve për çështje pronësie, ndërsa nuk përjashtohen as pista të tjera.
Edmond (Ali) Sula njihej si një person me influencë në zonën e Bërxullës. (A2 Televizion)