Deputeti socialist, Plarent Ndreca, është ligjvënësi i radhë që do të ulet në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Posaçme. Kjo gjykatë pranoi të enjten kërkesën e SPAK për kalimin në gjykim të dosjes në ngarkim të tij dhe 15 zyrtarëve e ish-zyrtarëve të tjerë të disa institucioneve të bashkëpandehur në të njëjtën çështje.
Ndreca do të gjykohet për veprën penale të "shkeljes së barazisë në tendera" në kohën qe mbante detyrën e sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme, ndërsa të tjerët në role të caktuara për të njëjtën akuze ose për "falsifikim të dokumenteve".
Sipas SPAK zyrtarët e Ministrisë së Brendshme dhe të disa institucioneve kanë shkelur ligjin duke favorizuar një operator ekonomik për projektimin e 4 komisariateve të policisë në vend, raporton A2 CNN.
Favorizim në procedurat e prokurimit
Hetimet kanë zbuluar se zyrtarët e Ministrisë së Brendshme, Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit dhe Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit kanë bashkëpunuar në mënyrë të qëllimshme për të favorizuar një bashkim operatorësh ekonomikë, duke shkelur dispozitat e ligjit për prokurimet publike.
Kontrata e prokurimit publik “Studimi dhe Projektimi i disa objekteve të Prokurorisë së Shtetit” kishte një vlerë totale prej 54,234,000 lekë (pa TVSH) për katër objekte policore, por në fakt përfundoi duke përfshirë vetëm dy objekte policore me një vlerë të reduktuar prej 34,248,000 lekë, kjo për shkak se Ministria e Brendshme nuk e kishte të plotë fondin, por për të favorizuar fituesin e lidhi kontratën vetëm për dy objekte, aq sa ishin fondet në dispozicion.
Shkeljet e dokumentuara sipas SPAK
Nga provat e mbledhura, rezulton se një grup zyrtarësh të udhëhequr ex officio nga Plarent Ndreca, ish-Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, i cili ka qenë Titullari i Autoritetit Kontraktor kanë kryer shkelje ligjore në fazat e tenderit për të shpallur fitues shtetasin Gjon Radovani, pavarësisht mospërmbushjes së kritereve ligjore nga ky i fundit.
Anëtarë të njësisë së prokurimit si Denisa Skënderaj, Lira Kolasi, dhe Blendi Kovi, së bashku me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, përfshirë Lindita Mukaj, Ferdinant Tarazhi, Silva Dauti, Grida Isufi, Deni Klosi, Jonarda Qurku kanë ndërmarrë veprime të qëllimshme për të devijuar procedurat ligjore të prokurimit. Gjithashtu, anëtarja e Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave, Julia Hysa, dhe zyrtarët e tjerë të përfshirë si Elora Kokalari, dhe Aida Shehi, kanë kontribuar në devijimin e procedurave ligjore.
Një komision për marrjen në dorëzim të projektit, i përbërë nga Emiliano Mehmeti, Klejdi Meço dhe Erand Rrobaçi ka nënshkruar procesverbale të rreme për të justifikuar dorëzimin e projektit, ndërkohë që projekti përfundimtar nuk ishte realizuar, raporton A2.
Nga veprimet e paligjshme të kryera, shtetit i është shkaktuar një dëm financiar, i vlerësuar sipas kontratës në vlerën prej 34,248,000 lekë. Deri në këtë moment, kjo vlerë nuk është ekzekutuar ndonëse përfituesi ka lëshuar faturat përkatëse për shkak të kundërshtimit/auditimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit mbi paligjshmëritë e evidentuara gjatë procesit. (A2 Televizion)