Përplasje e tensione mes protestuesve, Korreshi: Maturi, të mos çojmë ujë në llogoren e Ramës

Nga A2 CNN
31 Tetor 2026, 14:17 | Aktualitet

Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, u ka bërë thirrje protestuesve për qetësi dhe maturi, pas tensioneve dhe përplasjeve mes tyre gjatë protestës në Rrugën e Durrësit, pranë Ministrisë së Arsimit. Në një deklaratë për A2 CNN, Korreshi theksoi se përplasjet mes protestuesve rrezikojnë të largojnë vëmendjen nga kërkesa kryesore e protestës: dorëheqja e qeverisë dhe krijimi i një qeverie teknike.

“Do të kërkoja nga të gjitha palët qetësi dhe maturi. Sot lufta dhe gjithë kjo është kundër qeverisë. Në rast se ne dëmtohemi midis një-tjetrit, dëmtohemi duke kërkuar se kush është pozicioni preferencial apo diçka tjetër, ne nuk kemi bërë asgjë vetëm se kemi çuar ujë në llogoren e qeverisë. Kështu që unë mendoj që të gjithë njerëzit duhet të kalojnë atë çka në objektiv kryesor, kërkesën numër një, dorëheqjen e qeverisë, shkarkimin e qeverisë dhe formulimin e qeverisë teknike. Pastaj të tjerat janë detaje që zgjidhen në tavolinë mes gjithë protestuesve”, tha ai.

Sipas tij e gjithë Shqipëria duhet të jetë në shesh kundër Edi Ramës.

“E mira është që gjithë e gjithë Shqipëria, pa ndasi, studentë, kategori, bujq, fermerë apo intelektualë dhe pensionistë, të cilët nuk shtyjnë fundin e muajit. duhet të jenë këtu. Patjetër në mbështetjen e studentëve që janë e ardhmja e këtij kombi, që janë elita e re që për ndryshimet që pret ky vend. Kështu që mendoj që të gjithë njerëzit që e ndjejnë lakun fyt,  që po i merret fryma përditë nga kjo qeveri, sot duhet të jenë këtu”, theksoi ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos