Policia e kryeqytetit ka vënë në pranga dy shtetas brazilianë për shfrytëzim dhe ushtrim prostitucioni. Në operacionin e koduar “Daily rent” u arrestua 25-vjeçar brazilian Almir Mudesto, i cili shfrytëzonte 24-vjeçaren braziliane, Gabriela Crivellari për prostitucion, në ambiente që i merrte me qira ditore.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive, pas një pune intensive hetimore, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Daily rent”. Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit brazilianë: A. M., 25 vjeç, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”; G. C., 24 vjeçe, për veprën penale “Prostitucioni”.
Gjithashtu, u proceduan penalisht shtetasit R. P., 22 vjeç, dhe E. K., 20 vjeç. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi A. M. shfrytëzonte për prostitucion, shtetasen G. C., e cila e ushtronte këtë aktivitet në ambiente që shtetasi A. M. i merrte me qira ditore.”, njofton policia.
Gjithashtu nisën hetimet për dy persona të cilët u gjetën në banesë me 24-vjeçaren dhe u sekuestrua një shumë parash, e dyshuar e përfituar nga prostitucioni.
“Gjatë ndërhyrjes në një banesë që e kishte marrë me qira ditore, shtetasi A. M., në bulevardin “Zogu i Parë”, për ushtrimin e kësaj veprimtarie, u konstatuan 24-vjeçarja dhe shtetasit R. P. dhe E. K”., shton policia.
Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna për dokumentimin e plotë të rastit dhe identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)