Policia në Gjirokastër ka proceduar penalisht një 16-vjeçar, pasi është zbuluar se adoleshenti i ka dhënë një të mituri lëndë narkotike të lloji kanabis.
Pasi 14-vjeçari ka konsumuar kanabisin, akt ky i kryer në prani të 16-vjeçarit dhe një 22-vjeçari, gjendja e tij shëndetësore është rënduar dhe ka përjetuar komplikacione, duke përfunduar në spital.
“Seksioni për Hetimin e Narkotikëve referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin P. N., 22 vjeç dhe për një shtetas 16 vjeç, të dy banues në Gjirokastër. Ditën e djeshme, 16-vjeçari dyshohet se i ka dhënë lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, një 14-vjeçari, i cili pas konsumimit të saj është paraqitur në spital, me probleme shëndetësore”, sqaron policia.
Sipas policisë është proceduar edhe 22-vjeçari që ka qenë prezent gjatë këtij rasti, i cili nuk ka ndërhyrë dhe as nuk ka kallëzuar në polici ngjarjen. Sakaq, 14-vjeçari pasi mori mjekim ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë kontrollit të banesës, shërbimet e policisë i kanë gjetur dhe sekuestruar 16-vjeçarit, një sasi të vogël lënde të dyshuar narkotike kanabis. (A2 Televizion)