Gazetari Roland Qafoku ngriti shqetësimin për numrin e lartë të shqiptarëve që kanë përfunduar në burgje jashtë vendit, duke e cilësuar fenomenin një problem të madh social dhe shtetëror.
I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Qafoku deklaroi se sipas të dhënave zyrtare, rreth 20 mijë shqiptarë në mbarë botën kanë provuar burgun që nga viti 1990, një shifër e lartë në raport me popullsinë totale.
“Nga viti 1990 deri më sot, shqiptarë në të gjithë botën, janë 20 mijë, që kanë provuar burgun. Është një shifër e jashtëzakonshme! Nuk ka për numër popullsie, një shtet…20 mijë që është zyrtare”, u shpreh gazetari.
Sipas Qafokut, përtej individëve, problemi lidhet edhe me mungesën e interesimit institucional ndaj shqiptarëve që vuajnë dënimin jashtë vendit.
“Tani këtu ka një problem tani, sepse s’është vetëm problem i shoqërisë, i individit, këtu është një problem gjeneral mendoj unë. Këta persona që ikin jashtë, a interesohet njeri për ata? Fare! Nuk ka shteti ynë asnjë interes për ata! Ai është në burg atje, s’do t’ia dijë shteti ynë! Për këta 5 mijë shiko se çfarë themi!”, deklaroi Qafoku.
(A2 Televizion)