Gazetari Artan Hoxha tregoi një tjetër realitet nga burgjet shqiptare, duke zbuluar se në burgun e Reçit funksionon edhe një shkollë për të dënuarit që nuk kanë përfunduar arsimin bazë apo të mesëm. I ftuar në emisionin “Off the Record” në nga Andrea Danglli në A2CNN, Hoxha tha se gjatë një vizite në zonën e Malësisë së Madhe kishte mësuar për praninë e një mësueseje në burgun e Reçit.
“Në burgun e Reçit rastisa para një jave me një mësuese në Malësinë e Madhe. Ajo kishte hyrë dhe jepte mësim në burgun e Reçit. Pra kishte në burgun e Reçit njerëz që s’kishin bërë shkollën e mesme, apo 8-vjeçare dhe atje ishte hapur një shkollë, ekzistonte brenda burgut, më çuditi. Është e ngjashme tha me shkollat e natës dikur, apo shkollat me korrepondencë, dhe të dënuarit tha vijnë me qejf, sepse kalojnë edhe kohën, por edhe lexojnë”, u shpreh gazetari.
Hoxha rikujtoi edhe ngjarjen e rëndë të ndodhur në burgun e Peqinit në fund të vitit 2023, duke ngritur pikëpyetje mbi sigurinë brenda institucioneve penitenciare.
“Nëse e kujtoni në 15 dhjetor 2023 Arben Lleshi ishte në burgun e sigurisë së lartë në Peqin, dhe shkon e vret një i burgosur tjetër, po me dënim të përjetshëm. Po ndodh në burg një vrasje, por mekanizmi që u përdor për t’u futur armën, ky është problemi i madh”, deklaroi Hoxha.
(A2 Televizion)