Vrasja e të moshuarës Afroviti Peci në shtator të këtij viti është e fundit e serisë së vrasjeve me bazë gjinore në Shqipëri, ku sërish nënat viktima janë kryefjalë e një viti që lëmë pas.
80-vjeçarja u qëllua me shkop nga bashkëshorti i saj Leonidha, i cili nuk shfaqi shenja pendese, por tentoi të mbulonte krimin.
17 shtatori është data e fundit ku mes 38 ngjarjeve kriminale, vrasjeve me pagesë e krimit të organizuar, 11 krime të tjera u kanë marrë jetën grave.
Që në fillim të vitit, më 27 janar, krimi brenda familjes tronditi Gramshin. 80-vjeçari Xhevit Sinani vrau me sëpatë bashkëshorten Zeqine Sinani 72-vjeçe dhe vëllanë e tij Shaqir Sinani 72-vjeç. Autori u tha se vuante nga çrregullime të shëndetit mendor pasi në dëshminë e tij ishte habitur se si mund ta kishte kryer krimin edhe pse e kishte rrëfyer atë tek të afërmit disa orë pas ngjarjes së rëndë.
Emri i Dan Hutrës do të mbahet mend gjatë pasi mediat u morën më shumë me një vrasës se sa me viktimat e tij Mevlute Hysa dhe Hasime Dafku. Edhe pse një ngjarje gati e paralajmëruar, ajo nuk u parandalua dot nga agjencite ligjzbatuese, pasi Hutra i mori jetën dy grave, ndërsa Hasimja ishte dy muajshe shtatzënë.
Dan Hutra pasi kishte kryer krimin e rëndë, pesë minuta më pas i mori jetën dhe Etleva Kurtit, një nëne 31 vjeçare, e cila ishte në oborrin e shtëpisë me fëmijën e saj të mitur.
Sërish në Mars në datën 12, kësaj here jeta e një nëne u mor nga krimi i organizuar. Mimoza Paja punonte në një bar kafe pranë “Don Boskos” kur plumbat u lëshuan në lokal. Ajo nuk ishte shënjestër, por humbi jetën nga breshëria e automatikut ndërsa ngjarja vijon të jetë e pazbardhur.
Në 8 prill Migena Sinani u vra mizorisht nga kunati i saj në sy të fëmijës dy vjeçar. Roland Sinani, i cili vuante nga problem të shëndetit mendor, e qëlloi teksa flinte në gjumë në banesën e bashkëshortit në Shkozë. Për ngjarjen policia u mjaftua të thoshte se është një tjetër krim i zbardhur.
Më 17 maj, Alma Qevani u qëllua mizorisht me sëpatë nga bashkëshorti i motrës së saj, Tefik Tashi. Krimi ndodhi në fshatin Kusarth të Elbasanit dhe sipas policisë në atë kohë gjithçka ndodhi pse Alma nuk i hapi celularin 58-vjeçarit, i cili me një egërsi të pakuptueshme i mori jetën.
Përgjatë këtij viti, vrasja e nënave u bë dhe nga duart e fëmijëve të tyre. 68-vjeçarja Zeniat Muhollari u mbyt me plastmas nga djali i saj 24 vjeçar Albi. I riu dyshohej se ishte në gjendje depresioni kur mbyti nënën e tij ndërsa prej disa ditësh ishin kthyer në Përmet ku po kalonin pushimet.
Më 1 korrik, Arjola Myrtollari u shua në spital, një javë pasi bashkëshorti i saj e qëlloi me thikë. Aleko Myrtollari pas arrestimit deklaroi në policinë e Korçës se e qëlloi bashkëshorten e tij për shkak të xhelozisë.
Më 29 korrik, në Maliq, Luiza Mullali pasi u vra nga bashkëshorti i saj dhe u hodh në një kanal pranë banesës së tyre. Edhe pse të ndarë prej një viti dhe me urdhër mbrojtje ish-bashkëshorti i saj Gjergji i mori jetën 46-vjeçares.
Më 2 gusht, Luljeta Preza, 32 vjeçare, u gjend nga kalimtarë të rastësishëm poshtë Urës së Dajlanit në Durrës. Ajo ishte qëlluar disa herë me thikë nga dy persona të cilët u arrestuan me pas nga policia.
Aldo Ibrahimi dhe Ylli Grabovari kishin qenë nën shoqërinë e saj dhe më pas e vranë.
(A2 Televizion)