Gazetari i A2 CNN, Igli Çelmeta, raportoi në emisionin “Off the Record” se pas protestës së opozitës në Tiranë, situata vijon të jetë e tensionuar në ambientet e komisariateve, ku janë shoqëruar dhjetëra qytetarë.
Sipas tij, në komisariatin nr.1 kanë mbërritur tre deputetë të Partisë Demokratike, Eno Bozdo, Oerd Bylykbashi dhe Gjin Gjoni, së bashku me përfaqësues ligjorë të partisë, për të kërkuar sqarime mbi shoqërimin e protestuesve. Në këtë komisariat ndodhen rreth 6 persona, ndërsa pjesa tjetër është dërguar në komisariatin nr.2 dhe në Drejtorinë Vendore të Policisë së Tiranës.
Në total, sipas informacioneve të fundit, numri i personave të shoqëruar ka shkuar në 22. Policia pretendon se këta qytetarë kanë kryer veprime të kundraligjshme gjatë protestës, përfshirë hedhjen e molotovëve në drejtim të efektivëve. Ndërkohë, përfaqësuesit e PD-së e konsiderojnë shoqërimin të padrejtë dhe kërkojnë transparencë mbi procedurat e ndjekura.
Çelmeta raporton se situata në komisariatin nr.1 paraqitet e qetë, ndryshe nga protestat e mëparshme, megjithëse ka pasur momente tensioni mes deputetëve të PD-së dhe drejtuesve të policisë. (A2 Televizion)