
Policia e Shtetit bën të ditur se gjatë muajit qershor dhe dy javëve të para të korrikut janë arrestuar ose proceduar 29 persona të dyshuar për zjarrvënie.
Vetëm në 24 orët e fundit, policia arrestoi dy persona në Kavajë dhe Vorë, ndërsa një tjetër u procedua penalisht në Mallakastër për tre raste të ndryshme zjarresh. Në Kavajë, flakët dogjën kullota dhe rreth 300 pemë agrumesh e ullinjsh, ndërsa në Vorë u dëmtua një sipërfaqe toke me dru frutorë. Në Mallakastër, një zjarr i shkaktuar nga shkëndija elektrike gjatë tërheqjes së një automjeti dogji dhjetëra pemë arre.
Policia u bën thirrje qytetarëve, fermerëve dhe pronarëve të tokave të mos ndezin zjarre dhe të denoncojnë çdo rast zjarrvënieje, duke garantuar anonimat dhe reagim të menjëhershëm.
Njoftimi i Policisë së Shtetit
29 autorë të zjarrvënieve të arrestuar/ proceduar në qershor dhe në dy javët e para të korrikut.
Vijojnë masat në terren dhe hetimet për parandalimin e zjarrvënieve, si dhe për identifikimin dhe arrestimin e shtetasve që ndezin apo tentojnë të ndezin zjarre, duke dëmtuar sipërfaqe toke, bimësinë, pemëtarinë, pronën, shëndetin dhe jetën e qytetarëve.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë identifikuar dhe arrestuar në flagrancë 2 shtetas, ndërsa është proceduar në gjendje të lirë 1 tjetër, të dyshuar si autorë të 3 zjarrvënieve në Kavajë, Vorë dhe Mallakastër.
Gjatë muajit qershor dhe dy javëve të para të muajit korrik 2026, janë arrestuar/ proceduar 29 shtetas të dyshuar si autorë të zjarrvënieve.
Si rezultat i hetimeve të shpejta dhe veprimeve operacionale të kryera nga strukturat e Policisë së Shtetit në qarqe, me objektiv vënien përpara përgjegjësisë penale të autorëve të zjarrvënieve, u identifikuan 3 autorë të dyshuar në Kavajë, Vorë dhe Mallakastër.
Konkretisht:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë arrestuan shtetasin S. Ç., 51 vjeç, banues në fshatin Sterbeg, pasi, si pasojë e zjarrit që ndezi në sipërfaqen e tokës në pronësi të tij, u dëmtuan kullota në këtë fshat dhe 300 pemë (agrumesh dhe ullinjsh).
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vorë arrestuan shtetasin A. D., 43 vjeç, banues në fshatin Gjokaj, pasi, si pasojë e zjarrit që ndezi në sipërfaqen e tokës në pronësi të një shtetasi tjetër, u dogj një sipërfaqe toke në këtë fshat, e mbjellë me dru frutorë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin O. B., 39 vjeç, banues në fshatin Levan, pasi gjatë tërheqjes me karrotrecin që drejtonte të një automjeti të aksidentuar, janë shkaktuar shkëndija elektrike, të cilat janë përhapur dhe kanë djegur dhjetëra pemë arre në pronësi të një shtetasi, në fshatin Romës.
Materialet procedurale iu referuan prokurorive kompetente për veprime të mëtejshme.
Policia e Shtetit apelon sërish ndaj të gjithë qytetarëve, fermerëve dhe pronarëve apo poseduesve të kullotave që, në asnjë rrethanë, të mos ndezin zjarr.
Gjithashtu, praktika e gabuar dhe penalisht e ndëshkueshme e djegies së mbeturinave në toka bujqësore ose kullota përbën rrezik për përhapjen e pakontrolluar të flakëve, si dhe për dëmtimin e pronës, shëndetit dhe jetës.
Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë menjëherë çdo shtetas që tenton të kryejë zjarrvënie, duke iu garantuar anonimat të sigurt, reagim të menjëhershëm dhe veprim në përputhje me ligjin. (A2 Televizion)