Ish-drejtuesi i policisë në Korçë, Shemsi Prençi, ishte i ftuar në Ditarin e pasdites nga Bruna Çifligu në A2 CNN nga ku foli për krimin e rëndë të pak ditëve më parë, ku mbeti i vrarë në mes të qytetit Egli Proga.
Prençi dënon ashpër krimin e rëndë, ndërsa thekson se veprimet e policisë janë për t’u përgëzuar.
“Unë kam shërbyer si drejtor policie në Korçë dhe shumë nga oficerët aty i njoh. Një pjesë e mirë e tyre janë me integritet të lartë. Personat që kanë marrë pjesë kanë qenë më seriozët dhe më profesionalët. Kjo ngjarje ka tre medalje, dy të zeza dhe një të bardhë. Së pari, është një vrasje në mes të qytetit, e cila nuk buron nga asnjë shkak, por nga personaliteti i veprës penale, i cili duhet të studiohet nga policia sesi mund të rrahë dhe ta masakrojë deri në vdekje në shesh. Kjo është një ngjarje e rëndë, e cila duhet të hetohet hollësisht. Një qytetar në punën e tij, në biznesin e tij, nuk meriton të vritet si në vendet e botës së tretë ku vriten me gurë. Në këtë rast, Pogradeci ka treguar nivelin më të lartë të kriminalitetit, ta vrasësh tjetrin në mes të qytetit me gurë, me shkop. Ana e bardhë është që policia e shtetit, përpos ndonjë anomalie në veprimet e para të komisariatit që janë të pajustifikuara, ashtu siç është e pajustifikuar mbajtja nën mbikëqyrje e këtij personi të rrezikshëm me tendenca të tilla, nëse do të provohen, pjesa tjetër e veprimeve të policisë është për t’u përgëzuar, pasi në një kohë rekord është zbardhur dinamika e ngjarjes dhe është referuar çështja në prokurori për vrasje në dashje. Policia e Korçës e ka referuar si vrasje me dashje. Unë e kam lexuar komunikatën. Kam besim se oficerët nuk abuzojnë, pasi kanë integritet dhe personalitet shumë të lartë”, tha Prençi.
Më tej, ai u shpreh se, me të njëjtin integritet që kanë vepruar ndaj autorit, duhet të kishin vepruar edhe ndaj personave që kanë fshehur të vërtetën. “Ligji penal e detyron qytetarin jo ta fshehë, por të parandalojë pasojën. Qytetari ka të drejtë ta arrestojë në flagrancë një person të dhunshëm që është duke kryer një krim. Mosndërhyrja duhet të vazhdojë të ndëshkohet. 4 shtetasit e tjerë, jo vetëm e kanë fshehur, por edhe kanë dashur ta fshehin”. (A2 Televizion)