Aludimet dhe akuzat e hedhura prej disa ditësh lidhur me mosveprimin siç duhet të Policisë së Shtetit dhe Urgjencës Kombëtare lidhur me ngjarjen në Pogradec, ku Denis Meçe dhunoi për vdekjen Egli Progën, janë mohuar nga këto dy institucione.
I pari që doli para mediave ishte kreu i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, i cili deklaroi se uniformat blu kanë vepruar në koh ërekord dhe nuk janë përpjekur për të fshehur ngjarjen, por shtoi se krimin e kanë referuar në Prokurori si “vrasje me dashje”.
“Aludimi se është tentuar të fshihet ngjarja nga shefi i Komisariatit të Policisë në Pogradec është i pabazë dhe skandaloz. Në asnjë moment, në asnjë rrethanë, nga asnjë punonjës policie i Pogradecit nuk është tentuar të fshihet apo minimizohet kjo ngjarje.”
Edhe kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, pohoi se punonjësit e urgjencës kanë vepruar në kohë rekord.
“Na rezulton në total rreth 20 minuta, i gjithë misioni nga kërkesa për ndihmë deri në përfundim të misionit”.
Ndryshe nga Brataj që vetëm sqaroi dinamikën e ngjarjes, Rrumbullaku teksa tregoi veprimet e policisë pohoi se ka nisur dhe një hetim për dezinformimin e ngjarjes.
“Policia e Shtetit nuk është as e përsosur dhe as e pagabueshme, por baltosja e saj në këtë rast është jo thjesht e pabazuar, por është e dënueshme jo vetëm moralisht, por dhe ligjërisht. Po hulumtohen të gjitha rrjetet sociale dhe po përgatiten paditë penale për këtë dezinformim të qëllimshëm”.
Lidhur me ngjarjen e rëndë në Pogradec, reagoi edhe kryeministri Edi Rama, i cili u doli në mbrojtje institucioneve. Në një shënim në mediat sociale, Rama deklaron se akuzat ndaj Policisë dhe Urgjencës janë të pabaza.
Por gishtin e akuzës e drejton ndaj Prokurorisë, e cila e ka cilësuar si “Vrasja nga pakujdesia” humbjen e jetës së Egli Progës pas dhunës nga Denis Meçe. (A2 Televizion)