33 masa për mbetjet e rrezikshme. Mes tyre, 2 administratorët dhe zyrtarë të Agjencisë së Mjedisit

Nga Igli Çelmeta
3 Shkurt 2026, 19:06 | Kronikë

Pas 18 muajsh kur u bë publik skandali me mbetjet e kompanisë turke KURUM, Prokuroria e Durrësit ka finalizuar hetimet duke firmosur 33 masa sigurie, 26 arrest me burg dhe 7 arrest shtëpisë.

102 kontejnerët me mbetje u eksportuan drejt Tajlandës nga kompania Sokolaj shpk. Teksa ngarkesa nuk kishte mbërritur në destinacion Rrjeti i Bazelit ngriti alarmin se brenda kontejnerëve kishte mbetje të rrezikshme, shkruan A2.

Ngarkesa u kthye mbrapsht dhe aktuakisht është vendosur në ruajtje të policisë në Porto Romano. Sipas prokurorisë brenda 102 kontejnerëve me mbetje të kompanisë turke KURUM, që do të eksportoheshin drejt Tajlandës nëpërmjet kompanisë “Sokolaj” sh.p.k. të Gjovana Sokolajt, është verifikuar tashmë se ishte futur hiri i furrave të metalurgjikut  një mbetje e rrezikshme në një kohë kur të dyja kompanitë rezulton se kanë kryer një sërë veprimesh për të fshehur llojin e vërtetë të mbetjes.

Mes personave të dyshuar për skandalin e mbetjeve janë drejtuesit e kompanisë Kurum, Erdal Demir e Yusuf Kurum, drejtuesit e kompanisë “Sokolaj” shpk, për të cilët është caktuar masa arrest me burg. Ndërsa nga zyrtarët më e rëndësishmja është Arta Dollani, ish-drejtoreshë e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, aktualisht drejtoreshë në ministrinë e Arsimit. Për të cilën prokuroria ka caktuar masën e arrestit të shtëpisë. Edhe për drejtoreshën aktuale të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit Marjeta Përlala është caktuar masa e arrestit shtëpiak. 

Aktekspertiza për përcaktimin e llojit të mbetjeve brenda 102 kontejnerëve që u kthyen në Shqipëri, pas alarmit të rrjetit të Bazelit, është kryer në një laborator të specializuar në Itali dhe përbën dokumentin kryesor mbi të cilin Prokuroria e Durrësit ka ngritur akuzat dhe ka firmosur urdhrat e arrestit për drejtues të kompanisë Kurum, të kompanisë Sokolaj, si dhe për zyrtarë të lartë shtetërorë.

Prokuroria e Durrësit ka dalë në konkluzionin se subjektet Sokolaj sh.p.k. dhe Kurum International, në dijeni të plotë të rrezikshmërisë së mbetjeve kanë ndërmarrë veprime për të fshehur llojin e vërtetë të tyre, në bashkëpunim me të tretë, me qëllim eksportimin jashtë Shqipërisë duke shmangur detyrimet ligjore kombëtare dhe ndërkombëtare për menaxhimin e mbetjeve të rrezikshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos