Hoxha "zbërthehet" në GJKKO, detajet e vrasjeve për të cilat paguheshin 70-100 mijë euro

Nga Armand Bajrami
3 Shkurt 2026, 18:05 | Kronikë

I akuzuar i SPAK si vrasës me pagesë, Henrik Hoxha, të cilit ju hoq statusi i të penduarit gjatë hetimit, dëshmoi të martën në procesin gjyqësor të dosjes “Plumbi i artë” në Gjykatën e Posaçme. Duke qëndruar ulur në kafazin e sallës, për arsye shëndetësore, i pandehuri rrëfeu qetësisht detaje të vrasjeve ku kishte qenë në rolin e ekzekutorit.

Për ekzeutimin e Dorian Shkozës në vitin 2020 në Durrës, ku mbeti i vrarë dhe Anxhelo Avdia, Hoxha tha se i ishin premtuar 70 mijë euro nga Nuredin Dumani. I pandehuri tha se ishte afruar tek servisi i Haxhiaj me një automjet që drejtohej nga Elio Bitri.

“Elio më thotë, ja ku janë. Ishin 3 vetë në trotuar. Unë i qëllova me armë nga brenda makinës. Njëri nga ata ngeli në vend. Doriani u rrëzua pak më tutje, një i tretë vrapoi. Zbrita. Iu afrova e i thashë, a ti je Doriani. Ai tha jo, është ai që iku. Pyeta Elion, a ky është. Po, më tha ai. Edhe e godita”, rrëfeu ai në GJKKO.

Për këtë krim Hoxha tha se kishte marrë veç 35 mijë euro. Sipas të pandehurit, planifikimi i vrasjes së Besmir Haxhisë, ku u vra edhe vëllai i tij, Viktori, ishte bërë për të nxjerrë në pritë Altin Ndocin, për shkak se ishte shënjestër e vështirë.

“U vendos të vritej një nga vëllezërit Haxhia, që Altin Ndoci të vinte në varrim e më pas të ekzekutohej. Sipas Nuredinit, këta ishin të gjithë bashkë me Talo Çelën”.

Sipas Hoxhës, për ekzekutimin e Besmir Haxhisë kishte shkuar bashkë me Nuredin Dumanin, të veshur me uniforma OFL dhe armë të rënda, ndërsa shofer kishin Klevis Allën.

“Në Shënavlash, kur kaloi makina e tij, shoferi jonë e pa që ishte me vëllain. I tha Nuredinit, që është me vëllain. E mirë, tha Nurediniu, i vrasim. I ndoqëm për pak. Kur u bllokuan në trafik i dolëm në anësore dhe hapëm zjarr. Qëlluam të dy me breshëri. Nuredini zbriti nga makina. I thashë pse del kot, se kanë mbatuar. Pashë që Nuredini qëlloi nga afër, por ju bllokua arma. Pastaj ju bllokua edhe tjetra. Aty morë armën unë. Zbrita dhe godita disa herë. Unë godita shoferin”, vijoi i pandehuri Hoxha.

Hoxha rrëfeu përfshirjen direkte edhe në ekzekutimin e Emiliano Ramzanit në Elbasan. Sipas tij, plani fillestar ishte për vrasjen e dy vëllezërve Ramazani për shumën 150 mijë euro, por kur u vendos vetëm për njërin shifra shkoi në 100 mijë. Sipas Hoxhës, qitës në vrasjen e Ramazanit ishte i pandehuri Skerdi Tasi, ndërsa ai vetë shofer. Vrasja do të kryhej kur Ramazani të hynte në shtëpi.

“Unë i thashë Skerdit, po të pa, mos e le te futet në shtëpi por nise nga unë. Nëse vinte nga unë, do e qëlloja me kallash”.

Hoxha tha se pas krimeve kthehej në Tiranë dhe se nuk ruhej, por ishte shqetësuar kur kishte mësuar arrestimin e Klevis Allës. Sipas tij, Nuredini i kishte thënë të mos shqetësohej, ndërsa vetë i pandehuri ishte habitur kur kishte parë ne media se Alla kishte deklaruar se në makinë kishte Talo Celën dhe Altin Ndocin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos