Katër punonjës të policisë kufitare të Kapshticës përfunduan në pranga mes tyre një përgjegjës turni pas zbulimit të një sasie droge në një automjet.
Kontrollet e imtësishme të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore një ditë më parë në pikëkalimin kufitar të juglindjes me Greqinë, konstatuan se në njërin prej automjeteve ishte fshehur një sasi droge e llojeve të forta.
Sipas të dhënave rezultoi se lënda narkotike në sasinë 6 kg, ishte heroinë dhe ishte fshehur në një vend të përshtatur enkas në automjet, ndërsa kishte si destinacion Greqinë.
Pas sekuestrimit të drogës gjatë aksionit të AMP, Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë dhe forcave të kufirit u shoqëruan disa persona dhe u arrestua drejtuesi i mjetit.
Njoftimi i Policisë
AMP arreston 4 punonjës policie dhe një shtetas në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë të dyshuar për shpërdorim detyre
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan - Korçë) në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, ka arrestuar në flagrancë katër punonjës policie dhe një shtetas të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”.
N / Komisar Y. D., me detyrë Përgjegjës Turni në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë.
Inspektor F. B., me detyrë Specialist / Kontrollor në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë.
Inspektor L. H., me detyrë Trupë Shërbimi në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë.
Inspektor D. M., me detyrë Trupë Shërbimi / Kontrollor në dalje të Pikës së Kalimit Kufitar Kapshticë, i cili dyshohet edhe për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe mbajtja e armëve shpërthyese dhe municioneve”.
Shtetasin V. B., banues në Vërdovë (Pogradec).
Në vijim të hetimeve dhe informacioneve të siguruara në rrugë operative u arrit të dokumentohej me prova përfshirja e punonjësve të policisë në trafikun ndërkombëtar të lëndës narkotike, të cilët me mosveprime dhe në shkelje të ligjit nuk kanë ushtruar kontroll ndaj mjetit me drejtues shtetasin V. B., ku ishte e fshehur një sasi e dyshuar lëndë narkotike “Heroinë”.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 6 kg e 134 gr lëndë narkotike e dyshuar “Heroinë”, 5 aparate celularë, 256 fishekë (pistoletë model TT), 20 fishekë armë gjahu model 12 dhe një automjet.
Materialet proceduriale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090, ose duke dërguar Email në adresën [email protected].
Për ankesa me Whatsapp 0694151511 (A2 Televizion)