Aksident i frikshëm në Lushnjë, drejtuesi gjendet 40 m larg mjetit pas 9 orësh kërkimesh

Nga A2 CNN
24 Maj 2024, 15:15 | Kronikë

Një aksident i frikshëm i ndodhur mbrëmjen e së enjtes në aksin nacional rrugor Lushnje-Fier në pranë fshatit Konjat, bëri që për orë të tëra policia të mos gjente dot trupin e drejtuesit të mjetit.

Si pasojë e aksidentit, mjeti thuajse i copëtuar, përfundoi në oborrin e një banese private.

Por që nga ora 22.00 e mbrëmjes së të enjtes kur ndodhi ky aksident e përgjatë gjithë natës e deri në orët e mëngjesit të së premtes, policia nuk mundi dot të gjente trupin e drejtuesit të mjetit.

Mungesa e ndriçuesve për të kërkuar natën dhe me ndihmën e vetëm blicave të celularëve nuk dha rezultat.

Trupi i të ndjerit u gjet mëngjesin e së premtes pas daljes së diellit vetëm 40 metra larg mjetit.

Fatmirësisht në mjetin që ka fluturuar me një shpejtësi tepër të lartë ndodhej vetëm 21-vjecari që e drejtonte, i cili mendohet se nga forca e goditjes ka dalë nga dritaret anësore duke fluturuar për mbi 40 metra nga vendi ku u copëtua mjeti.

Paraprakisht policia e Qarkut të Fierit ka përcaktuar se shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia tepër e lartë. Ndërsa gjetja e trupit te drejtuesit të mjetit rreth 40 metra larg vendit të ngjarjes tregon se viktima nuk e kishte vendosur as rripin e sigurimit.

Aksi rrugor Lushnje-Fier është një ndër njollat e zeza sa i takon aksidenteve dhe pasojave të ardhura prej tyre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos