Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë ka reaguar për aksidentin me 4 viktima të ndodhur mesnatën e 19 marsit në aksin Vorë-Fushë-Krujë në një deklaratë për mediat shoqata thekson se neglizhenca në logjistikë dhe shkeljet e rregullave të sigurisë duhet të marrin fund.
"Humbja tragjike e katër të rinjve në aksidentin e fundit është një dhimbje e madhe për familjet e tyre dhe për të gjithë shoqërinë. Kjo ngjarje e rëndë na kujton se shkeljet e rregullave dhe neglizhenca në siguri nuk janë thjesht shifra në statistika – ato kanë pasoja të rënda dhe të parikuperueshme.Nuk mund të qëndrojmë indiferentë përballë abuzimeve dhe informalitetit që vijojnë të minojnë ndërtimtarinë dhe të rrezikojnë jetën e njerëzve. Punësimi i paligjshëm, mungesa e kualifikimeve të nevojshme, neglizhenca në logjistikë dhe shkeljet e rregullave të sigurisë duhet të marrin fund. Ky aksident nuk është rastësi, por një pasojë e drejtpërdrejtë e papërgjegjshmërisë dhe mungesës së kontrollit të duhur”.
Shoqata e Ndërtuesve e dënon me forcë këto praktika dhe kërkon nga institucionet përgjegjëse që të rrisin monitorimin dhe të ndëshkojnë çdo subjekt që nuk respekton standardet e sigurisë dhe punësimit. Nuk mund të lejojmë që pakujdesia dhe abuzimi të cenojnë jetën dhe reputacionin e një sektori të tërë.
“Siguria dhe ligjshmëria nuk janë opsione, janë detyrim i patjetërsueshëm! Ky është momenti për të vepruar dhe për të ndaluar njëherë e mirë shkeljet që kushtojnë jetë njerëzish”, apelojnë ndërtuesit.
(A2 Televizion)