Dëshminë e tij në Gjykatën e Tiranës, Aleksandër Krrashi, shoferi i betonieres me të cilën u përplas mjeti ku udhëtonin katër të rinjtë e që tragjikisht ndërruan jetë, e nisi me fjalët ngushëlluese për familjarët e viktimave.
“24-vjeçari ka pohuar para Gjykatës së Tiranës se nuk është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, por fillimisht ka tentuar të hapë derën e mjetit tip benz ku udhëtonin 4 të rinjtë. Sipas tij, dera e mjetit ishte e pamundur të hapej, e për këtë arsye ka kërkuar ndihmën e një tjetër personi, të cilët sërish nuk kanë mundur të shpëtojnë katër të rinjtë. Të ndodhur në këto kushte, ka pohuar 24- vjeçari, është larguar nga vendi i ngjarjes, nga frika e ndonjë hakmarrje të mundshme”.
Por pavarësisht deklarimit të tij, gjyqtari Edvan Vecani caktoi masën e sigurisë arrest në burg, duke pranuar kështu edhe kërkesën e prokurorisë që po e heton 24-vjeçarin për tre vepra penale, shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor, drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt dhe largimi nga vendi i aksidentit. Rezultoi se Krrashi nuk ishte i pajisur me leje drejtimi për mjete të transportit të rëndë.
Bashkë me Aleksandër Krrashin në gjykatë doli edhe kushëriri i tij, Valentin Krrashi, që e ndihmoj për tu larguar pasi ndodhi aksidenti. Edhe për u caktua masa arrest në burg.
Ndërsa për Danjel Koxha, menaxherin e firmës së betonit ku punonte 24-vjeçari u caktua detyrim paraqitje. Në kërkim, vijon të jetë edhe pronari i firmës, Saimir Hoxha.
Aksidenti që u mori jetën 4 të rinjve, dy vëllezër Enejdi dhe Erild Laçi, kushëririt të tyre Andi Laçi, si dhe shokut Enrikejd Kurti, ndodhi mesnatës e së mërkurës në aksin Vorë-Fushë-Krujë. Ata ishin duke u kthyer nga aeroporti "Nënë Tereza", në Rinas pasi kishin pritur nga Gjermania një prej viktimave. Mjeti që ata udhëtonin lëviznin me shpejtësi tej normave të lejuara dhe u përplasën me betonieren që ishte ndaluar në rrugë, por pa ndezur bllokimin. Sipas dinamikës së rindërtuar nga policia, para se të përplaseshin me betonieren, të rinjtë kishin parakaluar në rrugë dy kamionë.
(A2 Televizion)