Një aksident i rëndë ka përfshirë ekipin e Skënderbeut në volejboll për femra gjatë udhëtimit të tyre drejt Tiranës, ku pritej të zhvillohej ndeshja e dytë finale ndaj kryeqytetasve. Ngjarja ka ndodhur në Qafë Thanë, ku autobusi me të cilin udhëtonin vajzat është përplasur dhe ka përfunduar buzë një kanali.
Sipas informacioneve të siguruara nga A2 CNN, disa prej vajzave që ndodheshin në pjesën e përparme të autobusit kanë pësuar dëmtime të lehta. Menjëherë pas aksidentit, ato janë transportuar drejt spitalit për të marrë ndihmën mjekësore të nevojshme. Fatmirësisht, nuk raportohet për dëmtime të rënda apo për rrezik për jetën e ndonjërës prej lojtareve.
Si pasojë e këtij incidenti, ndeshja finale e kampionatit, që ishte planifikuar të zhvillohej sot mes Tiranës dhe Skënderbeut, nuk do të luhet. Federata Shqiptare e Volejbollit (FSHV) pritet të japë një konfirmim zyrtar për shtyrjen ose riorganizimin e ndeshjes. (A2 Televizion)