Dy persona janë arrestuar pasi një ditë më parë ndihmuan pronarin e një lokali të largohej nga vendi i ngjarjes, pasi kishte rrahur punonjësen e OSHEE që kishte shkuar të shihte sahatin e dritave në lokalin e agresorit, shkruan A2 CNN.
“Në vijim të punës intensive hetimore me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, në rrugën “Artan Lenja”, ku mbeti e dëmtuar me sende të forta punonjësja e OSHEE-s, është bërë e mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit L. M., 28 vjeç, banues në Tiranë”, tha policia. “Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas ka ndihmuar shtetasin J. S, 30 vjeç (i arrestuar mbrëmjen e djeshme), që të largonte nga vendi i ngjarjes, autorin shtetasin S. C.”.
Punonjësja e OSHEE, 37 vjeç, ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)