Banorët në zonat e juglindjes kanë nisur tashmë sigurimin e druve të zjarrit për periudhën e dimrit. Bashkë me rritjen e kërkesës, janë shtuar edhe tentativat për kontrabandimin e lëndës drusore për ngrohje, shkruan A2 CNN. Kjo ka bërë që Drejtoria Pyjore e Bashkisë së Pogradecit të intensifikojë punën për goditjen e paligjshmërisë në prerjen dhe tregtimin e druve të zjarrit, duke identifikuar dhe ndëshkuar mbi 20 persona.
Ndërkohë, në këtë aksion është përfshirë edhe Agjencia e Mbrojtjes së Territorit, policia bashkiake dhe ajo e shtetit, duke kryer patrullime edhe në akset rrugore, veçanërisht gjatë orëve të natës.
Pogradeci dhe e gjithë zona e juglindjes së vendit, gjatë muajve të dimrit, e kanë bazën kryesore të ngrohjes tek drutë e zjarrit, kjo për shkak të temperaturave të ulëta që shënohen në këto zona. (A2 Televizion)