Prokuroria Fier përfundon hetimet dhe dërgon për gjykim procedimin penal për vrasjen e mbetur në tentativë ndaj shtetasit me inicialet O.B.
Janë dërguar në gjyq shtetasit E.N. dhe K.K., për veprat penale ‘Vrasja me dashje’ mbetur në tentativë ndaj shtetasit O.B., ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit’ dhe ‘Moskallëzimi i krimit’, shkruan A2.
Hetimet lidhen me ngjarjen e ndodhur më datë 30 korrik 2023, në vendin e quajtur Kompleksi “Albes”, i cili ndodhet në lagjen “Sheq i Madh, Fier, ku si pasojë e goditjes me armë zjarri ka ngelur i plagosur rëndë shtetasi O.B.
Pas kryerjes së veprime hetimore të plota u provua se, më datë 30.07.2023, rreth orës 04.00, viktima O.B ka qenë ulur në lokalin e kompleksit “Albes” në shoqërinë e personave të tjerë dhe aty janë afruar me automjetin Audi A8 me ngjyrë të zezë edhe të pandehurit E.N dhe K.K, ku ndërmjet tyre ka pasur një debat banal dhe më pas të pandehurit E.N dhe K.K janë larguar me automjetin e tyre.
Më pas, rreth orës 05.30, rezulton se të pandehurit janë kthyer sërish në lokalin e kompleksit “Albes” dhe janë konfliktuar me fjalë me viktimën, dhe pasi i pandehuri E.N është futur në automjetin e tij, nga brenda automjetit të tij ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit O.B, i cili ka mbetur i plagosur rëndë. Në automjetin e shtetasit E.N ka qenë si pasagjer shtetasi K.K. Pas ndodhjes së ngjarjes të dy personat janë larguar.
(A2 Televizion)