
GJKKO vendosi deklarimin fajtor të të pandehurit Kristi Dautaj për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, duke u dënuar me 10 vjet burgim, raporton A2CNNN.
Fajtor u deklarua edhe i riu Xh.A, duke u dënuar me 5 vite burg për veprën e “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Ndërkaq u shpall i pafajshëm ish-efektivi Adriatik Logli për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, pasi nuk u provua fajësia e tij.
Në njoftimin e GJKKO thuhet: "Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Adriatik Logli, për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
2. Deklarimin fajtor të të pandehurit Kristi Dautaj, për kryerjen e veprës penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, dhe në bazë të neneve 283/1, 28/4 dhe 334/1 të Kodit Penal, dënimin e tij me 10 (dhjetë) vjet burgim.
3. Deklarimin fajtor të të pandehurit Kristi Dautaj, për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, dhe në bazë të nenit 333/a/2 të Kodit Penal, dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim.
4. Në aplikim të nenit 55 të Kodit Penal dënimin e të pandehurit Kristi Dautaj me një dënim të vetëm prej 10 (dhjetë) vjet burgim.
5. Në vuajtjen e dënimit të mbahet parasysh edhe koha e vuajtur nën masat e sigurimit personal “Arrest në Burg” dhe “Arrest në Shtëpi” për efekt të këtij procedimi penal.
6. Deklarimin fajtor të të riut në konflikt me ligjin Xh.A, për kryerjen e veprës penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, dhe në bazë të neneve 283/1, 28/4 dhe 334/1 të Kodit Penal dhe nenit 51 të Kodit Penal, dënimin e tij me 5 (pesë) vjet burgim.
7. Deklarimin fajtor të të riut në konflikt me ligjin Xh.A, për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, dhe në bazë të nenit 333/a/2 të Kodit Penal dhe nenit 51 të Kodit Penal, dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.
8. Në aplikim të nenit 55 të Kodit Penal dënimin e të riut në konflikt me ligjin Xh.A me një dënim të vetëm prej 5 (pesë) vjet burgim.
9. Në vuajtjen e dënimit të mbahet parasysh edhe koha e vuajtur nën masat e sigurimit personal “Arrest në Burg” dhe “Arrest në Shtëpi” për efekt të këtij procedimi penal.
10. Vuajtja e dënimit për të gjithë të pandehurit e dënuar me burgim në këtë vendim do të kryhet në burg të sigurisë së lartë". (A2 Televizion)