
Kryeministri Edi Rama ka komentuar protestat e opozitës në Rrugën e Durrësit, duke ironizuar gjendjen e krijuar pas dëmtimeve në infrastrukturën e rrugës.
Gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Partisë Socialiste në Tiranë, Rama u kërkoi qytetarëve të shohin semaforët e shkatërruar, trotuaret dhe kangjellat e dëmtuara, duke e krahasuar këtë pamje me Tiranën që, sipas tij, qeveria socialiste mori në drejtim.
Kryeministri tha se kryeqyteti paraqitej në të njëjtën gjendje jo vetëm në Rrugën e Durrësit, por në të gjithë hapësirën e tij, përpara ndërhyrjeve të bëra ndër vite.
“Dua t’ju ftoj ta shikoni pak Rrugën e Durrësit, semaforët e shkatërruar, trotuaret e shkulura, kangjellat e shkulura dhe të zhdukura, gjurmët e dhunës mbi trupin e rrugës. Ajo ishte Tirana që morëm ne. Ajo ishte tamam ashtu, jo vetëm në Rrugën e Durrësit, por në të gjithë hapësirën e saj”, u shpreh Rama.
“Atë rikthim në kohë e kanë mundësuar ata që e lanë Tiranën ashtu atëherë. Ata që kanë bërë gjithmonë të njëjtën gjë. Kur e kanë pasur mundësinë ta ndryshojnë Tiranën, e kanë lënë të lëngojë. Kur ne jemi përpjekur ta ndryshojmë, nuk kanë lënë gjë pa bërë që ta pengojnë”, tha Rama. (A2 Televizion)