Ish-presidenti i Republikës, Ilir Meta, mbajti një fjalë të gjatë në gjykatën e Apelit të Posaçëm. Ai tha se SPAK ka vetëm një target politik, izolimin e tij ekstrem, jo veç për ti vështirësuar mbrojtjen përballë akuzave absurde, por për ti paralizuar aktivitetin politik drejtuesit të forcës së dytë opozitare më të madhe në vend.
E me gjithë kundërshtitë e tij, Meta nuk mundi të bindë gjykatën për ta liruar nga qelia. Gjyqtarja Igerta Hysi vlerësoi të konfirmojë masën e sigurisë “arrest më burg” ndaj ish-presidentit dhe njëlloj të mos ndryshojë as masën e “detyrimit për paraqitje” për Monika Kryemadhin, të dy të akuzuar për “korrupsion”, “pastrim të parave” dhe “fshehje e mosdeklarim të pasurisë”.
Seanca në Apel zgjati gati gjashtë orë dhe barrën më të madhe të kohës e mbajti ish-presidenti dhe Kryemadhi, të cilës ju referua si ish-bashkëshorte. Në mbrojtjen e tij, që e publikoi edhe në faqen e Partisë së Lirisë Meta mohoi çdo akuzë të SPAK, duke i cilësuar si platformë manipulimesh me tjetërsime rrethanash dhe krijimtari mashtrimesh.
Pretendimet e SPAK për mosdeklarim pasurie Meta i cilësoi si tendencioze, duke pohuar se nuk mbante përgjegjësi për shpenzimet e familjarëve të tij, ish-gruas dhe ish-vjehrrës. Në reagimin e tij në FB pas shpalljes së vendimit, Meta foli sërish për Narkoshtet dhe Dumduman. “Asnjë çudi dhe asnjë surprizë nga drejtësia me regji e Narkoshtetit.
Afërmendsh u rikonfirmua sërish se gjykatat janë thjesht dhe vetëm vegla qorre nën urdhrin dhe diktatin e Narkoregjimit DumDuman. Desorosifikimi i drejtësisë është emergjencë kombëtare për çlirimin e shtetit dhe rivendosjen e shtetit të së drejtës dhe barazisë përpara ligjit për çdo qytetar”. Ndërsa Monika Kryemadhi, i cilësoi prokurorët e SPAK të pa përgatitur. Vendimi nuk ishte surprizë as për avokatin e Metës, Genci Gjokutaj, i cili paralajmëroi rekurs në Gjykatën e Lartë dhe nëse është e nevojshme edhe në gjykatat ndërkombëtare. (A2 Televizion)