Dy shtetas shqiptar dhe një turk janë ekstraduar mëngjesin e kësaj të premte drejt Romës dhe Stambollit, aty ku do të duhet të vuajnë dënimet të cilat autoritetet përkatëse kanë vendosur për ta, në kuadër të disa veprave të rënda penale që kanë kryer.
Në drejtim të Turqisë u ekstradua një 36-vjeçar i dënuar me 4 vjet e gjysmë burg. “U ekstradua në Turqi, shtetasi turk Koray Anic, 36 vjeç, pasi Gjykata e Stambollit, në vitin 2024, e ka dënuar me 4 vjet, 6 muaj e 5 ditë burgim, për rrëmbim, posedim të armëve të zjarrit dhe armëve shpërthyese dhe për kanosje”, sqaron policia.
Ndërkohë, për llogari të drejtësisë italiane u ekstradua një 27-vjeçar i akuzuar për grabitje me armë, në një prej të cilave ka plagosur pronarin e banesës ku kishte hyrë për të vjedhur, raporton A2.
“U ekstradua në Itali, shtetasi shqiptar M. L., 27 vjeç, i lindur në Dibër, pasi Gjykata e Torinos, në vitin 2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për grabitje me armë, me pasojë. Në vitin 2021, 27-vjeçari dyshohet se ka plagosur me armë zjarri pronarin e një banese në Itali, ku kishte hyrë për të vjedhur, së bashku me shtetas të tjerë.”
Po ashtu u ekstradua në Itali, 49-vjeçari nga Skrapari me iniciale A. A., pasi Gjykata e Komos, në vitin 2023 i ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, sepse akuzohej për shfrytëzim për prostitucion dhe për kanosje. (A2 Televizion)