Eksperti i sigurisë, Ergys Muzhaqi, i ftuar në emisionin Puls të Bruna Çifligut në A2 CNN, ka komentuar operacionin e forcave të sigurisë në Orosh, ku dy persona u arrestuan dhe në banesën e tyre u gjetën armë, municione dhe një flamur që dyshohet se lidhet me ISIS. Muzhaqi, megjithëse pranoi se gjetjet përbëjnë prova faktike, vuri në dukje se rreziku i ekstremizmit të dhunshëm në Shqipëri ka qenë gjithmonë minimal dhe shumë larg përmasave alarmante.
Ai theksoi se shoqëria shqiptare, si çdo shoqëri tjetër, ka individë që shfaqin sjellje të devijuara apo ekstremiste, qoftë politike, etnonacionaliste apo fetare, por fenomeni mbetet i kufizuar. “Ky është një nivel shumë i ulët prezence dhe ka qenë i tillë edhe në kohën kur ISIS ishte në kulmin e tij në Siri dhe Irak,” tha ai.
Megjithatë, Muzhaqi ngriti pikëpyetje të forta mbi momentin kur qeveria zgjedh të publikojë ose të ndërtojë fokusin mediatik te raste të tilla. “Sa herë që qeveria goditet rëndë politikisht, qoftë nga çështjet e korrupsionit, hetimet ndaj zyrtarëve të lartë, apo skandale të tjera, papritur shfaqen këto operacione me armë e flamuj të ISIS. Kjo të bën të mendosh,” deklaroi ai.
Eksperti theksoi se rreziqet reale për shoqërinë shqiptare sot janë krejt të tjera: korrupsioni qeveritar, krimi i organizuar, droga, vrasjet mes bandave, problemet në shkolla, bullizmi dhe siguria rrugore. “Këto janë rreziqet e përditshme, jo flamuri i ISIS,” u shpreh ai.
Muzhaqi vuri theksin edhe te fakti që potencialin për sulme e ka një gamë e gjerë individësh, nga autorë atentatesh te adoleshentë të papërgjegjshëm dhe se nuk duhet krijuar panik i panevojshëm duke e lidhur gjithçka me fenë.
“Nuk po them të mos hetohet. Por kur artikulon armë dhe flamur ISIS-i në një kohë kur qeveria është në krizë, ngjan më shumë me propagandë sesa me rrezik real,” përfundoi Muzhaqi. (A2 Televizion)
