Armë zjarri, municione dhe drogë, dy të arrestuar në Berat dhe Krujë

Nga A2 CNN
23 Prill 2025, 12:31 | Kronikë

Dy persona kanë përfunduar pas hekurave, në Krujë dhe në Berat, pasi ju janë gjetur në posedim armë zjarri pa leje.

Policia në Krujë vuri në pranga 68-vjeçarin Naim Kallaku, pasi gjetën në subjektin e tij një armë zjarri tip pushkë, si dhe një armë jofunksionale, të kohës së luftës së Dytë Botërore.

Armë zjarri, municione dhe drogë, dy të arrestuar në Berat

“Në vijim të kontrolleve të kryera nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në bazë të hetimeve proaktive dhe punës së inteligjencës policore, me objektiv goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, u konstatua se shtetasi N. K., 68 vjeç, mbante në subjektin e tij, në fshatin Bubq, 1 armë zjarri pushkë. Në ambientet e këtij subjekti, u gjet dhe 1 armë jofunksionale, e dyshuar e kohës së Luftës së Dytë Botërore. Në përfundim të veprimeve procedurale, shtetasi Naim Kallaku u arrestua, si dhe u sekuestruan me cilësinë e provës materiale, 2 armët”, njofton policia.

Ndërkohë, në Berat u arrestua një 27-vjeçar, banues në fshatin Roshnik. I riu u ndalu gjatë mbrëmjes teksa lëvizte me kanabis në makinë, në aksin rrugor Berat-Dimal. Më pas gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, efektivët gjetën edhe armë zjarri e municion luftarak.

Armë zjarri, municione dhe drogë, dy të arrestuar në Berat

“U arrestua në flagrancë shtetasi A. Z., 27 vjeç, banues në fshatin Roshnik, Berat. Gjatë natës, në aksin rrugor “Berat-Dimal”, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar automjetin që drejtonte shtetasi A. Z. Gjatë kontrollit fizik, këtij shtetasi iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa.   Në vijim të veprimeve procedurale, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit A. Z., u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një tjetër sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa, 1 armë gjahu, fishekë arme gjahu dhe 1 pistoletë sportive. Nga hetimet ka rezultuar se ky shtetas siguronte lëndë narkotike dhe e ndante në doza, të cilat i shiste në zona të ndryshme në qytet”, informon policia. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos