Për herë të parë në gjykatë ka dëshmuar Dritan Rexhepi, i akuzuar si porositësi i rrëmbimit, vrasjes dhe zhdukjes së Jan Prengës, në vitin 2020.
Rexhepi u ekstradua dy muaj më parë në vendin tonë nga Ekuadori. Ai iu përgjigj pyetjeve të dy prokurorëve të çështjes. Dëshminë e nisi duke pohuar se prokurorët “i kanë hipur një treni të gabuar dhe duan të shkojnë aty ku dëshirojnë vetë”.
Rexhepi ka mohuar çdo gjë që e lidh me ngjarjen. Prokurorët e SPAK-ut e pyetën nëse njihej me ndonjë prej vëllezërve Prenga, njëri prej të cilëve u rrëmbye.
Dritan Rexhepi mohoi se nuk njihte asnjë prej tyre dhe shtoi se kur ka ndodhur ngjarja, ai ka qenë në burg, në Ekuador për trafik droge.
Kur u pyet nëse ngjarja kishte lidhje për faktin se një prej vëllezërve të Jan Prengës ishte bashkëpunëtor me të në trafikun e drogës në Angli, Dritan Rexhepi e mohoi edhe këtë gjë. Po ashtu, deklaroi se këto lajme i ka marrë vesh nga të afërmit e tij dhe jo nga celularët që mund të ketë mbajtur ilegalisht në ambientet e burgut.
Prokuroria paraqiti prova të reja, komunikime mes Altin Hajrit dhe Dritan Rexhepit, të bëra në SkyECC. Këto përgjime i përkasin procedimit të vitit 2024. Sipas Prokurorisë, këto komunikime i përkasin vitit 2020.
Seanca tjetër do të zhvillohet në datën 7 maj, ora 09:00.
(A2 Televizion)