Shkaktoi aksident dhe ia mbathi, “arrest në shtëpi” për oficerin e policisë në Korçë

Nga A2 CNN
23 Prill 2025, 11:00 | Kronikë

Shkaktoi aksident dhe ia mbathi, “arrest në shtëpi”

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka ekzekutuar një vendim të Gjykatës së Korçës për një efektiv policie, mbi të cilin rëndon masa e sigurisë “arrest në shtëpi”.

“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan - Korçë) ka ekzekutuar urdhrin e Prokurorisë për zbatimin e vendimit të Gjykatës së Apelit të Përgjithshëm, e cila ka vendosur caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi” ndaj punonjësit të policisë J. R., me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme, në Komisariatin e Policisë Korçë, pranë DVP-Korçë, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Mosdhënia ndihmë”, “Largimi nga vendi i aksidentit” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor’”, bën me dije AMP.

Oficeri i Patrullës së Përgjithshme më datë 3 mars shkaktoi një aksident, me pasojë lëndimin e një personi dhe ia mbathi nga vendngjarja.

“Vendimi ndaj tij është marrë pasi më datë 03.03.2025, duke drejtuar mjetin e tij në aksin Hoçisht - Bilisht, është përfshirë në një aksident rrugor me pasojë plagosjen e shtetasit D. GJ., dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes duke mos i dhënë ndihmë të aksidentuarit dhe duke mos njoftuar organet e rendit”, sqarohet më tej në njoftim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos