Dritan Rexhepi ka dëshmuar për rrëmbimin e Jan Prengës.
Prokurori Behar Dibra: Në fund të vitit 2019, ku ndodheshit?
Dritan Rexhepi: Isha në burg, në Ekuador. Isha i burgosur me 13 vite për trafik droge. Kisha 5 vite e 4 muaj që vuaja burgun.
Dibra: A kishit kontakte me jashtë?
Rexhepi: Po, me kabinë burgu.
Prokurori: Po me persona të tjerë?
Rexhepi: Jo, nuk ishte e mundur.
Prokurori: Me kë kishit kontakte në burg, ndonjë shqiptar?
Rexhepi: Me një kosovar, nuk ia mbaj mend emrin.
Prokurori: Ku keni qenë më përpara se të burgoseshit?
Rexhepi: Nëpër botë.
Prokurori: Me kë u arrestuat?
Rexhepi: U akuzuan 10 persona. Remzi Azemi nga Kosova doli i pafajshëm.
Prokurori: Gentjan Funiqi, u kujton gjë ky emër?
Rexhepi: Vetëm nëpër media e kam dëgjuar. Kurrë në jetë nuk kam pasur me të njohje.
Prokurori: Martin Dedja dhe Korado Gështenja, i njeh?
Rexhepi: Jo.
Prokurori: Në atë kohë ke bashkëpunuar me të tjerë për të kryer aktivitet droge kur ndodheshit në Ekuador?
Rexhepi: Jo.
Prokurori: A ke marrë djeni për një kontejner me drogë që u kap?
Rexhepi: E mësova pasi e pashë nga mediat në Shqipëri. E kam dëgjuar nga familjarët e mi që në Shqipëri akuzoheshin për një ngarkesë që është kapur në Angli. Në atë kohë mora djeni për një person që ishte rrëmbyer dhe ishte marrë peng. Nëpërmjet familjarëve kërkova të merrja vesh. Më thanë që kishte përgjime të Dritan Rexhepit me vëllain e të humburit. Ku janë këto përgjime? Nuk jam unë aty. Më është nxirë faqja ka 5 vite. Ju keni hipur trenin e gabuar dhe doni të shkoni ku doni vetë. Nuk jam unë personi që kam folur me ata dhe nuk jam unë ai person për ato që keni shkruar në dosje. Ndodhesha në burg dhe fola me një gazetar dhe i kam thënë që nuk jam unë ai person që kam urdhëruar rrëmbimin e Jani Prengës. Kam folur me Artan Hoxhën. I kam dhënë disa foto dhe i kam thënë publikoi. Gazetari ishte takuar me kunatin tim në Prokurorinë e Tiranës rastësisht dhe aty kanë biseduar se çfarë po ndodh kështu.
Avokatja e Rexhepit: Meqë gazetari është në sallë, kërkojmë që të thirret si dëshmitar.
Prokuroria: Për ne nuk është e çmuar të thirret si dëshmitar. Nëse ai do, mund të dalë nga salla.
Pas kësaj, gjykata vendosi që Artan Hoxha të largohet nga salla për fazën e marrjes në pyetje të Dritan Rexhepit.
Rexhepi: Problemi im ishte vetëm hasmëria, pasi unë po përflitesha. Aty thuhej Gramozi nga Vlora. Nuk jam unë ai person. Ju duhet të pyesni veten. Pse është lidhur emri Gramoz dhe Dritan Rexhepi?
Prokurori: Sa emra ke pasur?
Rexhepi: Deri në moshën 13 vjeç më quanin Gramoz, më pas të gjithë më thërrisnin Dritan. As sot nuk jam i martuar. Kam pasur një marrëdhënie 12-vjeçare me një ekuadorjane dhe me të kam dy djem.
Prokurori: Pasi folët me gazetarin, çfarë ndodhi më pas? Dritan apo Artan Hoxha, ishte emër i njohur për ju më parë, a e kishit takuar ndonjëherë?
Rexhepi: Jo, nuk e njihja, nuk e kisha takuar asnjëherë. Edhe më vonë nuk kam pasur më komunikim me asnjë gazetar.
Prokurori: Po për Ndrek Prenga a keni dëgjuar, është vëllai i Jan Prengës. Apo për vëllain tjetër të tij, Astrit Prenga?
Rexhepi: Jo, në asnjë rrethanë. (A2 Televizion)