Pas 7 protestave, për herë të parë protestuesit e opozitës kanë përfunduar në qeli. Gjyqtari i Tiranës Enkel Peza la në burg 5 prej 11 protestuesve të arrestuar në protestën e 17 prillit. Gjykata dha vendimin pas provave që referoi policia në prokurori për 5 prej protestuesve të arrestuar, të cilët ndryshe nga protestat e mëparshme u arrestuan në flagrancë kur po hidhnin molotovë në drejtim të Kryeministrisë.
Masa arrest me burg u caktua për Klement Çuçkën, 38 vjeç, Bujar Tushën, 29 vjeç, Henri Shapllon, 30 vjeç, Mirvet Toçillën 50 vjeç dhe Semi Bicin 25 vjeç, të cilët akuzohen për veprat penale “Kundërshtim i punonjësit të policisë”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, ‘’Mbajtje pa leje e armëve shpërthyese” dhe “Shkatërrim i pronës me zjarr”. Për 6 protestues të tjerë, Gjykata e Tiranës caktoi masën detyrim paraqitjeje.
Në kushtet e flagrancës policia sekuestroi 45 shishe molotov, madje duke aplikuar edhe një strategji të re, duke ndërhyrë në turmën e protestuesve gjatë kohës që ata mbanin në duar apo çanta, molotovët. Kjo strategji u përdor për t'i arrestuar në kushtet e flagrancës.
Në seancën që zgjati 4 orë, avokatët e protestuesve kërkuan përjashtimin e gjyqtarit Enkel Peza me argumentin se ai dhe familjarët e tij kanë mbajtur funksione në strukturat lokale të PS në Kavajë, por kërkesa u rrëzua nga gjyqtari tjetër, Dritan Hallunaj. Pasi gjykata la në burg 5 protestuesit, sekretari i përgjitshëm i PD, Flamur Noka hodhi akuza në drejtim të gjyqtarit dhe policisë.
PD ka paditur ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallari, kryepolicin Skënder Hita dhe gjithë zinxhirin drejtues të Policisë pasi sipas opozitës kanë ushtruar dhunë ndaj protestuesve dhe kanë përdorur spraj kundër ariut. (A2 Televizion)