Arrestimi i Bujar Sefës në Dubai, Policia e Shtetit jep detaje

Nga A2 CNN
26 Janar 2026, 10:03 | Kronikë

Arrestimi i Bujar Sefës në Dubai, Policia e Shtetit jep detaje

Policia e Shtetit ka dhënë detaje në lidhje me operacionin që çoi në pranga bosin shqiptar të drogës Bujar Sefa. Ai u arrestua në Dubai pasi ishte shpallur në kërkim nga SPAK si pjesë e grupit "Rraja" dhe akuzohet si drejtuesi i një grupi kriminal që ka kultivuar bimë narkotike, në Krujë.

“Si rezultat i bashkëpunimit të strukturave të Policisë së Shtetit me homologët, në kuadër të operacionit të koduar “The Wanted”, u bë e mundur kapja në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe arrestimi me qëllim ekstradimin në Shqipëri, i shtetasit: -B. S. alias B. X., 39 vjeç”, njofton Policia.  

Ai “ishte shpallur në kërkim nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me vendimin e datës 23.05.2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitje e narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal'', "Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal" dhe "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit””.

39-vjeçari akuzohet se ka qenë drejtuesi i një grupi kriminal, i cili në vitin 2020 ka kultivuar bimëve narkotike në fshatrat e njësisë administrative Cudhi, Krujë. 

Interpol Tirana dhe Interpol Abu Dhabi po bashkëpunojnë për të kryer procedurat e ekstradimit të këtij shtetasi, në Shqipëri.

Lajmi për arrestimin e tij u publikua pak ditë më parë në mediat italiane por pa bërë të ditur identitetin e tij. Mediat italiane raportuan se ai u zbulua pasi ftoi familjarët në festat e fundvitit.

Ai akuzohet si kreu i një organizate të madhe të narkotrafikut në Venecia dhe Shqipëri, duke transportuar jo vetëm kokainë, por edhe marijuanë dhe hashash, deri në Holandë.

Sefa ishte në arrati që prej vitit 2019 dhe ishte dënuar me 8 vite e 7 muaj burg në Itali.

 

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos