Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ka përgëzuar Policinë e Shtetit pas njoftimit të arrestimit të Lulzim Berishës në Spanjë.
“Sundimi i ligjit vijon të godasë në Shqipëri e kudo, mbi këdo dhe pandëshkushmëria do të marrë fund ndaj kujtdo që kujton se do të vazhdojë t’i fshihet. Përgëzoj Policinë e Shtetit, ekipin e Fast Tirana të cilët në bashkëpunim me Fast Madrid, kanë bërë të mundur arrestimin e shtetasit Lulzim Berisha në Alicante, Spanjë, një person i kërkuar nga drejtësia në Shqipëri”, tha Balla.
Pas arrestimit kanë nisur procedurat për ekstradimin e Berishës në Shqipëri. I dënuar për rolin e tij si drejtues i Bandës së Durrësit, ishte në arrati prej disa vitesh. Në dhjetor të vitit 2021, Gjykata e Lartë vendosi se Lulzim Berisha, ish-drejtues i Bandës së Durrësit, duhet të rikthehet në qeli për të vuajtur dënimin edhe për 5 vite. Vendimi i Gjykatës së Lartë rrëzoi vendimin e Gjykatës së Apelit të Durrësit, që kishte vendosur lirimin nga qelia të Berishës dhe vuajtjen e pjesës tjetër të dënimit me shërbim prove.
Berisha duhet të kryejë edhe 5 vite dënim të mbetur, pasi është dënuar si ish-drejtues i Bandës së Durrësit. Ai u dënua fillimisht me burgim të përjetshëm, por me dërgimin e dosjes në Gjykatën e Lartë, dënimi u ul në 25 vite burg.
Më pas, Berisha filloi betejën me drejtësinë për t’u liruar. Në vitin 2016 Gjykata e Apelit Durrës pranoi kërkesën e tij për të vijuar me shërbim prove pjesën e mbetur të dënimit. Në një nga shkresat që mbështesnin pretendimin e tij për lirim ishte edhe një e firmosur nga ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, i cili thoshte se do ta punësonte në një nga drejtoritë e Bashkisë.
1 vit pas lirimit, SPAK kërkoi arrestimin e tij pasi dyshohet se është i përfshirë në Vrasjen e Klodian Saliut dhe Vajdin Lamajt në vitin 2005. Ai vijon të jetë në arrati. (A2 Televizion)