Arrestohen dy shqiptarë në Greqi dhe një në Itali, do të ekstradohen

Nga A2 CNN
26 Tetor 2024, 11:43 | Kronikë
Arrestohen dy shqiptarë në Greqi dhe një në Itali, do

Policia ka bërë të ditur se 3 shtetas shqiptar të dënuar në vendin tonë janë arrestuar, përkatësisht dy në Greqi dhe një në Itali, me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë.

“Policia e Shtetit/Finalizohen 3 operacione të tjera, në bashkëpunim me partnerët europianë, për kapjen e shtetasve të kërkuar ndërkombëtarisht.

Si rezultat i shkëmbimit të informacioneve të siguruara nga strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit, me homologët në Greqi dhe në Itali, mbi vendndodhjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, përkatësisht për llogari të autoriteteve gjyqësore në Gjirokastër, në Korçë dhe në Mat, policitë partnere finalizuan 3 operacione policore për kapjen dhe ndalimin e tyre.

-Në kuadër të operacionit “Triplet” u arrestua nga policia greke, shtetasi A. M., 45 vjeç, i lindur në Memaliaj. Në vitin 2017, ai është dënuar nga Gjykata e Apelit e Gjirokastrës, me 4 vjet e 8 muaj burgim, për veprën penale "Trafikimi i narkotikëve”. Në vitin 2015, në bashkëpunim me 2 shtetas të tjerë, transportonte 100 kg lëndë narkotike Cannabis Sativa, me qëllim trafikimin. Nga dënimi total, 45-vjeçarit i kanë mbetur për të vuajtur rreth 2 vjet e gjysmë burgim.

-Në kuadër të operacionit “Dënimi” , u arrestua nga policia greke, shtetasi E. D., 31 vjeç. Në vitin 2023, ai u dënua nga Gjykata e Korçës, me 4 vjet e 7 muaj burgim, për veprën penale " Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”. Nga dënimi total, 31-vjeçarit i kanë mbetur për të vuajtur rreth 3 vjet e 8 muaj burgim.

-Në kuadër të operacionit “Masa” u arrestua nga policia italiane, shtetasi N. K. alias N. T. alias A. K. alias A. K., 49 vjeç, i lindur në Mat. Në vitin 2022, Gjykata e Matit i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike”. Ai akuzohet se më datë 31.12.2021, ka qëlluar me armë zjarri në ajër.  Gjatë kontrollit në banesë  Policia i gjeti  armë zjarri, lëndë plasëse  dhe municion luftarak.

Interpol Tirana po bashkëpunon me homologët në Greqi dhe në Itali, për të finalizuar procedurat për ekstradimin e këtyre shtetasve, në Shqipëri”, njofton policia. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos