Moisi Habilaj, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafikim të lëndëve narkotike, është arrestuar nga policia në fshatin bregdetar të Borshit.
48-vjeçari strehohej prej kohësh në një "beach bar" në pronësi të familjarëve të tij, ku në përpjekje për t'i shpëtuar identifikimit nga autoritetet, mbante një kapele dhe kishte lënë mjekër. Lokalizimi i tij u bë i mundur nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit në bashkëpunim me Policinë e Vlorës, të cilat, pas grumbullimit të informacioneve me metoda speciale të hetimit, organizuan operacionin e koduar “Metodat” duke rrethuar zonën dhe duke bërë të mundur prangosjen e tij.
Gjatë këtij aksioni, policia arrestoi në flagrancë edhe shtetasin E.A., 46 vjeç, banues në Sarandë, si dhe nisi procedimin në gjendje të lirë për një shtetas italian 70-vjeçar me iniciale S.F. Të dy këta individë dyshohen se kanë konsumuar veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, duke ndihmuar të kërkuarin të fshihej.
Ndalimi i Habilajt u bë me qëllim ekstradimin e tij drejt Italisë, ku Gjykata e Apelit në Katania e ka dënuar me 12 vjet, 2 muaj e 13 ditë burgim për pjesëmarrje në organizatë kriminale të armatosur me qëllim trafikun e drogës. Ai kishte arritur t'i shpëtonte ekzekutimit të këtij vendimi pasi më herët gjykata e shkallës së parë në Itali e kishte lënë në masën “arrest shtëpie”, vendim që I krijoi atij mundësinë të arratisej. Gjithashtu, ndaj tij rëndon edhe një masë sigurie "arrest në burg" nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Shqipëri për grup të strukturuar kriminal.
Asokohe edhe ish-ministri i brendshëm Saimir Tahiri, u akuzua për favorizim të grupit Habilaj. Pas një kalvari të gjatë gjyqësor, Tahiri u dënua më 4 shkurt 2022 me 5 vite burg për "shpërdorim detyre", dënim i cili për shkak të gjykimit të shkurtuar u reduktua në 3 vite e 4 muaj. Ish-ministri i Brendshëm qëndroi përafërsisht rreth 16 muaj në qeli, përpara se pjesa e mbetur e dënimit t'i konvertohej në shërbim prove. (A2 Televizion)